Për qëndrimin në paraburgim si i dyshuar për trafikim me njerëz, urologu Tunë Përvorfi kërkon 450 mijë euro dëmshpërblim

Gjykata41
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Janar 14, 2020

Prishtinë – Urologu Tunë Përvorfi, po kërkon të dëmshpërblehet në shumë prej 450 mijë eurosh nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Një shumë të tillë, urologu Përvorfi, po e kërkon në emër të kompensimit të dëmit, që pretendon se i është shkaktuar atij, lidhur me dyshimet për trafikim me njerëz.

Pasi që ndaj tij kishin pushuar hetimet lidhur me këto dyshime, në vitin 2011, ai kishte ushtruar padi kundër KGJK-së, nga e cila kërkon të kompensohet për dëmin e shkaktuar, pasi pretendon se gjatë vitit 2008, ishte mbajtur në mënyrë të kundërligjshëm në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor është vendosur që të merret prova me ekspertizë psikiatrike, të cilën e ka propozuar përfaqësuesi i paditësit, avokati Nikë Shala.

Shala, ka thënë se për shkak të arrestimit në mënyrë të kundërligjshme të paditësit ka ardhur deri te njollosja e autoritetit personal dhe familjar, andaj sipas tij, është e nevojshme të merret prova me ekspertizë psikiatrike.

Ai për ekspert ka propozuar Jeton Zogaj, me detyrë që të përcaktojë përjetimet traumatike të shoqëruara me frikë, ankth dhe shqetësim, si rezultat i zhvillimit të një procedure penale dhe qëndrimit në paraburgim.

Në anën tjetër, përfaqësuesit i KGJK-së, Besim Mustafa, ka thënë se nuk e konteston bazën e kërkesëpadisë sa i përket kompensimit për periudhën e qëndrimit në paraburgim prej 30 ditësh, por ka thënë se e konteston lartësinë e saj.

Mustafa, ka kërkuar që ky kompensim të bëhet sipas udhëtimeve administrative, në të cilat parashihet dëmshpërblimi i personave të dënuar pa arsye.

Lidhur me propozimin e përfaqësuesit të paditësit për marrjen provës me ekspertizë psikiatrike, Mustafa e ka kundërshtuar me arsyetimin se është i panevojshëm.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjygjëse, gjykatësja e rastit Hidajete Gashi, e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për marrjen e provës me ekspertizë financiare.

Gashi e ka obliguar ekspertin e psikiatrisë, që mendimin dhe konstatimin tij, ta dorëzojë në gjykatë brenda afatit prej tetë ditësh.

Seanca e radhës në këtë kontest pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertizë psikiatrike.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 28 shkurt 2011, paditësi Përvorfi kërkon nga KGJK-ja, rreth 450 mijë euro, për qëndrimin e tij në paraburgim, me pretendimet se ishte mbajtur nën një masë të tillë në mënyrë të kundërligjshme.

Në padi thuhet se me vendimin e ish-Gjykatës së Qarkut, paditësit i ishte caktuar masa e paraburgimit, për 30 ditë dhe atë nga 4 nëntori 2008, e deri më 4 dhjetor 2008, për veprën penale të trafikimit me njerëz, në bashkëveprim.

Pas kësaj, sipas padisë, ish-Gjykata e Qarkut, më 3 dhjetor 2008, paditësit ia kishte ndërprerë paraburgimin dhe më 7 tetor 2010, ndaj tij kishin pushuar hetimet për një vepër të tillë penale.

Në padi thuhet se paditësi si pasojë e qëndrimit në paraburgim në mënyrë të kundërligjshme, ka përjetuar dhembje shpirtërore, shkeljeje të prestigjit, shkeljeje të nderit e tjerë.

Mbi këto rrethana, paditësi me anën e kësaj padie, po kërkon nga gjykata që kërkesa e saj të aprovohet, si dhe të detyrohet e paditura që për qëndrimin e kundërligjshëm në paraburgim t’ia kompensojë atij shumën prej 450 mijë euro. /BetimipërDrejtësi