Për herë të dytë lirohen nga akuza për korrupsion dy zyrtarë doganorë

Ftiroja----
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Korrik 16, 2018

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, për herë të dytë i ka shpallur të pafajshëm dy zyrtarët doganorë, Radica Saviq dhe Ismet Shabani, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në aktgjykimin e shpallur të hënën, në këtë rast i cili ishte kthyer në rigjykim, Saviq dhe Shabani, janë liruar nga akuza, në mungesë të provave.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi, në arsyetimin e aktgjykimit, ka thënë se nuk ka mundur të gjendet asnjë provë për të vërtetuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Gjykata Themelore në Gjilan, në dhjetor të vitit 2016, kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tani të akuzuarit Saviq dhe Shabani.

Mirëpo, prokurori i çështjes Shaban Spahiu, kishte atakuar këtë aktgjykim të Themelores dhe pas shqyrtimit të lëndës në shkallë të dytë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar këtë aktgjykim dhe në qershor 2017, ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës,  Radica Saviq po akuzohet se më 7, 8 dhe 13 mars 2011, në pikën doganore “Dheu i Bardhë”, ka keqpërdor pozitën e saj zyrtare, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka vërtetuar Dokumentacionin Unik Doganor “DUD”.

Veprën penale, e njëjta pretendohet se e ka kryer në atë mënyrë, që nuk janë përputhur të dhënat me të dhënat bruto sasiore në vendimet fito-sanitare, ashtu që në Dokumentin Unik  Doganor “DUD”, ka qenë e shënuar pesha totale  prej 5,860 kilogram për pesticide “Foxin”, ndërsa në vendimin fito-sanitar pesha është shtuar 18,000 kilogram dhe me këtë i është mundësuar një fitim i kunërligjshëm pasuror në shumën prej 9,551euro të akuzuarit Baki Alimi.

I akuzuari i dytë Ismet Shabani, gjithashtu pretendohej se ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lëshuar vendime fito-sanitare për artikullin pesticide, pa definuar llojin e pesticideve, pasi disa lloje janë të ndaluara në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve, duke i mundësuar të akuzuarit Baki Alimi që në emër të këtyre vendimeve t’i vë në lajthim organet doganore, duke importuar pesticide të llojit “Galation” dhe “Foxin”.

Ndryshe, së bashku me tani të akuzuarit Saviq e Shabani, në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe Baki Alimi, i cili akuzohej për tregti të ndaluar.

Mirëpo, për këtë të fundit, në seancën e 8 shkurtit, është refuzuar akuza, pasi që ishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për veprën e lartcekur.

Ai, akuzohej se gjatë vitit 2011, në ndërmarrjen e tij  NTP “Redimenti”, pa autorizim ka shitur dhe ka blerë mall, qarkullimi i të cilave ka qenë i ndaluar me ligj, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka futur në qarkullim pesticide të llojit “Galation” dhe “Foxin”, të cilat produkte janë të ndaluar për Kosovë.