Pengesat teknike në gjykatë bëjnë që të ndërpritet gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë

image1 (14)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Pengesat teknike që u shfaqën lidhur me shikimin e video-incizimeve të 24 nëntorit 2017, ku mbeti i vrarë  tani i ndjeri Nehar Sahiti, kanë bërë që udhëheqësi i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli, të merr vendim për ndërprerjen e këtij gjykimi, ku Arlind Ahmeti po akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Për këtë rast, i akuzuar ishte edhe Agron Vllasaliu, por për atë ishte veçuar procedura penale, për shkak se gjendet në arrati.

Ndryshe, sipas akuzës së vitit 2017, pretendohet se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehat e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditur tani të ndjerin Nehat Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Tutje, gjykatësi Ismajli ka deklaruar se kjo gjykatë përmes ekspertit të saj të IT-së, kanë bërë përpjekje që ta mundësojnë shikimin e video-incizimeve në fjalë, por kjo nuk ishte e mundur për shkak se ato kërkonin një kod të veçantë, të cilin ata nuk e posedonin.

Në rrethana të tilla, mbrojtësi i të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokati Asdren Hoxha ka propozuar që kjo seancë të ndërpritet, pasi që sipas tij është mjaft e rëndësishme për mbrojtjen shikimi i atyre  video-incizimeve.

Andaj, gjykatësi Ismajli mori vendim që kjo seancë të ndërpritet dhe seanca e radhës u caktua të mbahet më 18 Mars duke filluar nga ora 13 e 15.

Sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehat Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.