Pavarësisht bojkotit, me pajtimin e Faik Graincës, gjykimi ndaj tij mbahet edhe pa avokat

20190110_145651
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Janar 10, 2019

Ferizaj – Pavarësisht bojkotit të avokatëve që ka nisur që nga e mërkura në të gjitha gjykatat e vendit, të enjten është mbajtur seanca ndaj ish-drejtorit të Urbanizimit në Komunën e Ferizajt, Faik Grainca, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me të po akuzohen për falsifikim të dokumenteve edhe Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka munguar mbrojtësi i Faik Granicës, avokati Visar Musa, por ish-drejtori i Urbanizimit, ka thënë se gjykimi ndaj tij mund të vazhdonte edhe pa mbrojtësin e tij.

Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar ish-anëtari i komisionit për shqyrtimin e ankesave gjatë hartimit të planit zhvillimor komunal, Premtim Asllani.

Ai ka thënë se ky plan nuk bënë planifikim në nivel të një parcele, në rastin e parcelës së të dëmtuarve Haliti të lagjes “Astrit Bytyqi”, por në nivel të tërë territorit të Komunës se Ferizajt.

“Plani zhvillimor komunal nuk bënë planifikim në nivel të një parcele, por në nivel të tërë territorit të komunës. Por, ekziston një hierarki e dokumenteve e planifikimit ashtu që, plani zhvillimor komunal bënë planifikimin në tërë sipërfaqes së komunës, dhe dokumenti tjetër është harta zonale që bënë planifikimin në grupe të parcelave dhe në fund janë planet detale të cilat bëjnë planifikim në nivel të parcelës”, ka thënë ky dëshmitar.

Në pyetjen e të dëmtuarit Imri Halili se pasi që me plan zhvillimor komunal pronat e tyre ishin paraparë për ndërtim të lartë kundër vullnetit të tyre, nëse ishte e mundur që me hartat zonale të bëhej ndryshimi nga ndërtimi lartë në të ultë, dëshmitari ka deklaruar që hartat zonale nuk mund ta bënin atë ndryshim.

“Harta zonale e merr për bazë hartën e shfrytëzimit të tokës, kur paraqiten destinimet dhe bënë jo ndryshimin por precizimin dhe rregullimin e atyre në nivel të  grupit të parcelave”, ka thënë ai.

Ky dëshmitar, thotë t’i kenë marrë parasysh ankesat e parashtruara nga inspektorati i Ministrisë së Planifikimit dhe Mjedisit Hapësinor.

“Unë kam qenë anëtar i komisionit për shqyrtimin e ankesave edhe në rastin e parë dhe në të dytin, por në rishqyrtimin e dytë, na ka ardhë një vendim nga inspektorati në kuadër të  Ministrisë së Planifikimit Hapësinor që sipas asaj shkrese, që parashtruesve të peticioneve të qytetarëve të ju kthehej me shkrim, edhe pse e njëjta iu ishte kthyer me shkrim në raportin e shqyrtimit publik”, ka thënë ai.

Dëshmitari Asllani ka thënë se sipas tij ekzistonte vetëm një shkelje në dhënien e përgjigjes rreth refuzimit të peticionit të banorëve të zonës 8 të lagjes “Astrit Bytyqi”.

“Unë e di se e vetmja shkelje që ka ndodhë, nëse mundet me u quajt shkelje, është pse nuk iu kemi kthy me shkrim përgjigje parashtruesve të peticionit dhe këtë e kemi përmirësuar. Unë nuk e di që e ka vërtetuar dikush që në atë kohë peticionit të ketë qenë i manipuluar”, ka deklaruar Asllani.

Mirëpo, në pyetjen e radhës të të dëmtuarit Haliti, banor i lagjes  “Astrit Bytyi”, nëse i kujtohet se ai kishte dorëzuar një letër informuese të datës 1 qershor 2017 në të cilën i kishte cekur të gjitha shkeljet dhe padrejtësitë që sipas tij, u ishin bërë atyre si banorë dhe nëse e kishte lexuar atë letër, dëshmitari ka thënë se ajo nuk i ishte dorëzuar atij personalisht.

“Atë letër informuese personalisht nga ju nuk e kam pranuar, por e kam gjet në zyrën time. Ka pas një letër tjetër, por ajo nuk më kujtohet dhe ajo letër informuese nuk ka qenë e adresuar te unë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendimi i marrë nga Komuna nuk kishte për qëllim dëmtimin e pronës apo pasurisë së banorëve.

“Jo nuk e kemi marrë këtë vendim me qëllim të vendimit të pronave-pasurisë tuaj, se me rastin e hartimit të çdo plani nuk është mundur që të plotësohen kërkesat e secilit individ brenda Komunës”, ka thënë ai.

Kurse, në pyetjen e të dëmtuarit tjetër Bekim Haliti, se a ishte e drejt që banorët e një lagje që nuk i atakon një problem, të kërkojnë ndryshime për prona të banorëve tjerë, dëshmitari ka thënë se nuk kishte dashur që banorët e lagjeve të tjera të vendosnin për një gjë të tillë.

Por, sipas tij, destinimi nga banimi i ultë-shtëpive, na ndërtim të lartë-kolektiv e kishte vendosur kompania konsulente “Insi”, e kontraktuar nga Kuvendi Komunal i asaj kohe në vitin 2017.

“Këtë e ka vendos kompania investues që me ba një ndërlidhje me destinimet e rrugëve tjera që ishin përreth, ndërsa aprovimin e ka bërë komisioni për planin zhvillimor, kompania ka bërë vetëm zgjidhjen e atij destinimi”, ka thënë ai.

I akuzuari Faik Grainca, e ka ballafaquar këtë dëshmitar me shkresën që iu ishte dhënë parashtruesve të peticionit nga anëtarët e komisionit për shqyrtimin e ankesave, duke e pyetur atë nëse ishte e njëjta e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit, dëshmitari është përgjigjur se po.

“Po është e vërtet se në shumicën absolute të mbledhjeve se kjo çështje ka zgjatur rreth 18 muaj,  është e vërtet se ju në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit nuk kemi prezantuar dhe është e vërtet se ju nuk më keni kërkuar asnjë herë në ndonjë takim të veçantë për të ndikuar te unë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në pyetjen e të akuzuarit Izer Ramadani, nëse kishte marrë pjesë dëshmitari Premtim Asllani, në cilësi të anëtarit të komisionit, në shqyrtimin e lëndës, kur më 8 gusht 2017 kishte marrë përgjigjen kinse kishte dorëzuar peticion, e në realitet thotë të kishte dorëzuar vetëm kërkesë.

“E ka dorëzuar si kërkesë, por me dorë  e ka shënuar vetë mbi fletën e ka shënuar si “peticion”, unë kam marrë pjesë edhe në shqyrtimin e kësaj kërkese, përkatësisht peticioni, dhe kësi raste ka pas edhe të tjera që ndodhin në komunë dhe kjo ka mund me ndodhë nga pakujdesia e vet parashtruesit të kërkesës ose stafit pranues të komunës”, ka thënë ai.

Seanca e radhës është caktuar më 22 janar  2019 me fillim nga ora 9:30.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në fund të muajit dhjetor të vitit 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Faik Graincës, i cili po akuzohet se më 9 gusht 2017, në cilësi të drejtorit në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit, në Komunën e Ferizajt, si dhe si person përgjegjës i komisionit për shqyrtim të planit zhvillimor komunal, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i shkelur të drejtat e personave tjerë.

Sipas aktakuzës, Grainca, duke ushtruar detyrën zyrtare në këto cilësi, nuk i ka verifikuar nënshkrimet në një peticion të qytetarëve, i cili kishte të bënte me planin zhvillimor për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, e të cilat nënshkrime kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

Tutje, në akuzë thuhet se tani i akuzuari Faik Grainca, ka qenë në dijeni se këto nënshkrime janë të falsifikuara ku si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi”, të mbetet banim kolektiv, edhe pse qytetarët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si rezultat i peticionit të falsifikuar, Kuvendi Komunal i Ferizajt kishte aprovuar planin urbanistik për rrugën në fjalë, duke i shkelur të drejtat e tani të dëmtuarve Imri e Bekim Haliti dhe Orhan Ibrahimi.

Pika 2 e aktakuzës, ndërkaq akuzon dy të pandehurit e tjerë në këtë rast Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi, për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas kësaj pike të akuzës, të pandehurit Ramadani dhe Kurtishi, gjatë muajve prill – maj të vitit 2017, në Ferizaj, kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera të Ferizajt, ashtu që të njëjtat nënshkrime ti përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8, rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv, edhe pse banorët e kësaj lagje kanë qenë për banim individual.