Pasuria e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Safet Hoxha

Raporton: Naim Jakaj

Prishtinë – Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Safet Hoxha, të hyrat në formën e pagës mujore i ka deklaruar në shumën prej 3,224.08 euro, duke e vendosur një shënim shpjegues tek rubrika e llojit të të hyrave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në të njëjtën mënyrë, i ka deklaruar edhe të hyrat e fëmijëve 288 dhe 379 euro, por sërish duke lënë shënim shpjegues te lloji i të hyrave, 2,958.91 euro i ka deklaruar të hyra nga pensioni i prindit. Të hyra të tjera, ai i ka deklaruar edhe 117 euro mëditje të pranuara nga Gjykata Kushtetuese.

Si para të gatshme, Hoxha ka deklaruar 4,502.25 euro. Kurse, para të gatshme në shumën prej 96.45 euro janë deklaruar në emër të prindit dhe 2,500 euro të përbashkëta.

Sa i përket paluajtshmërive, gjyqtari Hoxha ka deklaruar 5 pasuri të përbashkëta, katër prej të cilave janë të trashëguara: shtëpi 200 m2 e trashëguar në vitin 2008, shtëpi 11,000 m2 e trashëguar në vitin 2008, arë 20,000 m2 e trashëguar në vitin 2008, mal 1 ha i trashëguar në vitin 2008, shtëpi 215 m2 e blerë në vitin 2021, në vlerën prej 142,500 euro.

Si pasuri të luajtshme, Hoxha ka deklaruar një veturë “Golf V” e blerë në vitin 2019 në vlerën prej 9,500 euro, e cila është në pronësi të përbashkët. Në po të njëjtin deklarim, ai ka treguar që fëmijët e tij kanë aksione në shoqëri komerciale me emrin “ES Marketing” me përqindje prej 50%.

Gjyqtari Hoxha ka treguar se ka detyrime financiare në formën e pagesës në shumën prej 5,000 euro për shkollimin e fëmijëve, detyrim të përbashkët financiar për blerjen e shtëpisë në shumën prej 95,200 euro, pagesë për shtëpinë e blerë në Çagllavicë në shumën prej 50,000 euro, të drejtat e personave fizikë nga shitja e garsonjerës në shumat prej:  26,629.31 euro dhe 35,370.89 euro.

Në fund, Hoxha ka vendosur një shënim të gjatë shpjegues për çështjet që lidhen me paluajtshmëritë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë