Pasi u dënua për korrupsion nga shkalla e parë, ish-drejtori i Komunës së Kllokotit kërkon pafajësinë në Gjykatën e Apelit

Nikola Nojkiq - 17.07.2020
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 17, 2020

Prishtinë – I dënuar me burg efektiv nga shkalla e parë pasi që ishte shpallur fajtor për korrupsion, ish-drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikola Nojkiq po e kërkon pafajësinë në Gjykatën e Apelit.

Përmes avokatit të tij, Ymer Hurugulica, Nojkiq ka ushtruar ankesë në Apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilën, i ka propozuar Apelit që ta lirojë nga akuza apo rastin e tij ta kthej në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo ankesë e mbrojtjes së Nojkiqit u shqyrtua të premten nga një kolegj i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Xhevdet Abazi dhe Abdullah Ahmeti.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 10 shkurt 2020, Nikola Nojkiqin e kishte shpallur fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të njëjtin e kishte dënuar me tetë muaj burgim.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Nojkiq është obliguar që të dëmtuarës, Komuna e Kllokotit, t’ia kompensojë edhe shumën prej 10,390.50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, sipas mbrojtjes, ky aktgjykim i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike e shkelje të ligjit penal.

Sipas ankesës, aktgjykimi i ankimuar nuk përmban të gjitha elementet që do të plotësonin figurën e veprës penale për çka akuzohet Nojkiq si dhe jepen vërejtje gjithashtu edhe në ekspertizat e kryera gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati Huruglica tha se dy dëshmitarët që janë dëgjuar në këtë rast, Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, kishin punuar në një drejtori tjetër dhe nuk i kanë dhënë llogari të akuzuarit në këtë rast, por zyrtarit Boban Bogdanoviq.

Për shumën e parave që ishte dorëzuar, avokati tha se ekzistojnë faturat kurse për diferencën prej 6,413 euro, në krahasim me atë që është dorëzuar, avokati tha se kanë ofruar prova ku shihen udhëtimet që janë bërë në Greqi dhe Poloni dhe për këtë, tha se kanë ofruar dëshmi edhe përmes agjencionit “Rina Travel”.

Për pjesën tjetër të parave, që pretendohet se i akuzuari i ka pranuar prej inkasantëve, avokati tha se nuk është arritur të provohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Për nënshkrimin e pranimit të të hollave në fjalë, avokati tha se tek i akuzuari kanë shkuar në shtëpi të tij duke iu lutur që të nënshkruan dokumentet në fjalë, por edhe pse kishte pranuar që t’i nënshkruaj, avokati tha se i mbrojturi i tij një gjë të tillë e kishte bërë duke e shënuar edhe si vërejtje se shumat e tillë janë të pakonfirmuara.

E kur kishte shkuar në Komunën e Kllokotit për t’i bërë këto verifikime, avokati tha se të akuzuarin e kishin larguar edhe me sigurim nga objekti i komunës për të mos e lënë që t’i bëj ato verifikime, pasi siç tha, në ndërkohë edhe ishte ndërruar pushteti komunal.

“Jon bo dy ekspertiza dhe në asnjërën prej tyre nuk është barazu gjendja. Ne kemi kërkuar që të bëhet super ekspertiza që të dihet se sa para janë grumbulluar dhe sa janë dorëzuar” tha avokati Huruglica në fjalën e tij.

Gjithashtu, avokati tha se në secilën seancë gjyqësore ku ishin dëgjuar dëshmitarët, i pranishëm kishte qenë edhe Kryetari i Komunës së Kllokotit prezent, duke ngritur kështu dyshimet se dëshmitarët janë frikësuar të thonë të vërtetën me frikën se do tu rrezikohej pastaj edhe vendi i punës.

Për më tepër, Huruglica tha se as dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk përputhen me ato që janë konstatuar në procesverbale.

Krejt në fund, avokati tha se edhe dënimi i shqiptuar në këtë rast është i ashpër në raport me veprën penale, pasi siç tha, i mbrojturi i tij nuk ka përfituar asgjë në këtë rast.

Në anën tjetër, refuzimin e ankesës së mbrojtjes dhe vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë, i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë, Prokuroria e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të përpiluar më 22 qershor 2018, Nikola Nojkiq akuzohet se nga gushti 2015 e deri maj 2016, në cilësinë e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në atë mënyrë që pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviq, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Në këtë mënyrë, prokuroria pretendon se i akuzuari ka përfituar për vete, ndërsa Komunës së Kllokotit i ka shkaktuar dëm në shumën e lartcekur. /BetimipërDrejtësi