Pasi të vendosë gjykata, do të jetë publik vendimi mbi paraburgimin e Thaçit dhe të tjerëve

Raporton: Medina KADRIU

Përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep ka bërë të ditur se në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mbrojtja dhe Prokurori i Specializuar dorëzuan parashtrime lidhur me vazhdimin e paraburgimit të disa prej të akuzuarve.

“Pasi Gjykatësi i Procedurës Paraprake të nxjerrë një vendim publik lidhur me këtë aspekt, vendimi do të mund të lexohet në faqen zyrtare të internetit të DHS-së”, ka thënë ajo.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Griep ka bërë të ditur se të premten e shkuar gjykatësit në gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, refuzuan kërkesat e ekipeve të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave.

Ajo ka thënë se  ditën e hënë gjykatësit refuzuan kërkesën e ekipeve të Mbrojtjes për apelimin e këtij vendimi.

“ Në fund të konferencës së sotme përgatitore për Mbrojtjen në çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj, Trupi Gjykues II nxori një numër vendimesh gojore që urdhërojnë, mes tjerash, se paraqitja e provave prej Mbrojtjes do të nis nesër (më 3 dhjetor) me deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së z. Gucati dhe do të vazhdojë më 6 dhjetor, me paraqitjen e provave”, ka thënë Griep.

Ajo tha se paraqitja e provave prej mbrojtjes së  Haradinaj do të nis pas mbylljes së paraqitjes së provave prej mbrojtjes së Gucati.

“Trupi Gjykues caktoi 17 janarin 2022 si datë provizore për mbylljen e paraqitjes së provave prej Mbrojtjes. Si rrjedhojë, konferenca përgatitore e planifikuar për Mbrojtjen do të mbahet sot dhe në rast se nevojitet më shumë kohë do të vazhdojë edhe nesër”, deklaroi Griep.

Sipas saj, paraqitja e provave prej mbrojtjes do të fillojë të hënën më 6 dhjetor me deklaratën hyrëse të Mbrojtjes.

Sa i përket rastit të Pjetër Shalës, ajo tha se gjyqtari  i procedurës paraprake ditën e hënë  ka miratuar  kërkesën e mbrojtjes për apelimin e dy aspekteve të vendimit të tij në të cilin kishte rrëzuar kundërshtimet e ngritura nga mbrojtja për mangësi në formën e aktakuzës.

Gjithashtu, bëri të ditur se gjatë ditës së enjte, kryetarja e gjykatës ka caktuar panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë prej gjykatësve Mishelë Pikar, Emilio Gati dhe Nina Jorgensen

“Po në të njëjtën ditë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori një vendim tjetër ku refuzonte kërkesën e Mbrojtjes për apelimin e “Vendimit mbi Mocionin që Ngre Kundërshtime lidhur me Themelimin dhe Juridiksionin e Dhomave të Specializuara””, ka thënë ajo.

Kurse, tha se seanca e ardhshme në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës do të mbahet më 13 dhjetor 2021 në orën 09:30.

“Dëshmitari tjetër i thirrur nga Prokurori i Specializuar është planifikuar të dëshmojë mes datave 13 dhe 15 dhjetor. Dëshmitari do të dëshmojë me masa mbrojtëse, ku përfshihet ndryshimi i zërit dhe fytyrës si dhe përdorimi i një pseudonimi. Ky do të jetë dhe dëshmitari i fundit që dëshmon për këtë vit. Çështja gjyqësore do të rifillojë vitin tjetër”, ka thënë Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë