Pasi të akuzuarit për krim të organizuar lidhur me armë u deklaruan të pafajshëm, do të negociohet arritja e marrëveshjes për pranim fajësie

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës, pasi që të akuzuarit Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli si dhe Jashar Jashari janë deklaruar të pafajshëm, kanë vendosur që të shkojnë në negocim me prokurorinë lidhur me arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.

Në këtë rast, Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli si dhe Jashar Jashari po akuzohen për krim të organizuar lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në këtë seancë pasi që me pajtimin e palëve aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas kësaj është vazhduar me fjalën hyrëse, ku prokurori i rastit Burim Ҫerkini ka deklaruar se dy seanca paraprake janë shtyrë më kërkesë të mbrojtjes në mënyrë që të shkohet në negocim për arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Begolli, avokati Ramiz Krasniqi ka thënë se mund të shkojnë në negocim për të shqyrtuar mundësin për të arritur marrëveshje për pranim fajësie.

Pas kësaj, prokurori Ҫerkini dhe mbrojtja kanë caktuar takim për të negociuar lidhur me pranimin e fajësisë më 7 qershor 2022.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj-Musliu seancën e ka shtyrë për 21 qershor 2022.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Vladica Miladinoviq, për të cilin gjyqtarja e atëhershme në seancën fillestare të mbajtur më 2 tetor 2014 me propozim të prokurorisë e kishte veçuar procedurën, pasi që i njëjti nuk kishte qenë i pranishëm në seancë. 

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Rasha Steviç dhe Samin Qehaja, për Steviç është veçuar procedura penale, ndërsa për Qehajën është hudhur poshtë akuzën dhe ka pushuar procedurën penale, pasi që i njëjti është akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2014 të akuzuarit Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli si dhe Rasha Steviç i kishte shpallur fajtorë.

Pas ankesës së ushtruar nga mbrojtja, Gjykata e Apelit me vendimin e 29 majit 2015, këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Po ashtu, kjo gjykatë ka vlerësuar se pranimi i fajësisë nuk është bërë në përputhje me dispozitat e KPP-së, pasi që sipas shkresave të lëndës dhe nga vet përmbajtja e pranimit të fajësisë të akuzuarit nuk e kanë kuptuar përmbajtjen e pranimit të fajësisë.

Në aktakuzën e 5 qershorit 2014, thuhet se të pandehurit Shpëtim Begolli, Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviç, Vladica Miladionoviq dhe Jashar Jashari, gjatë periudhës kohore prej 9 shtator 2013 e deri më 5 dhjetor 2013 me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryejë vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Këtë thuhet se e kanë bërë duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, blerje dhe shitje të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, thuhet këtë e kanë bërë në atë mënyrë që duke marrë instruksione dhe udhëzime nga i pandehuri Shpëtim Begolli, i cili nga burgu i Dubravës, ku është duke vuajtur dënimin, nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me ta dhe ka menaxhuar veprimtarinë mbi furnizimin dhe shpërndarjen e armëve si dhe të municionit për to.

Tutje, thuhet se kështu të pandehurit tjerë me vetëdije kanë sjellë sasi të madhe të armëve dhe atë një pushkë gjuetie modeli rus, 26 pistoleta me gaz të modeleve të ndryshme dhe atë 25 prej tyre të tipit “Zoraki” model 940 dhe tjera e të njëjtit tip modeli 917-B dhe 3 mijë e 500 fishekë të kalibrit 9mm, të cilat i kanë sjellë të pandehuri Rasha Steviç dhe Vlladica Miladinovic nga Serbia për në Kosovë, me qëllim që t’ua shesin të pandehurve Fehmi e Besim Begolli.

Tutje, aty pretendohet se këtë e kanë bërë duke e ditur që importin, furnizimin, transportin, këmbimin, ndërmjetësimin dhe shitjen e tyre po e bëjnë pa autorizim, të cilat i kanë gjetur zyrtarët policorë me rastin e ndalimit të tyre në fshatin Bërnicë, Komuna e Prishtinës, më 5 dhjetor 2013, gjatë kontrollimit të automjeteve të tyre në veturën e markës “Audi 89”, në bagazhin e asaj veture dhe nën ulësen e pasme.

Ndërsa, thuhet se me rastin e kontrollimit te shtëpia e të pandehurit Milandinovic kanë gjetur edhe një bajonetë-thikë, ndërsa i pandehuri Jashar Jashari nga i pandehuri Besim ka blerë armë dhe municion, e të cilat më pas ua ka shitur personave të ndryshëm, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një revole e “PARA” 9 mm dhe municion të kalibrit të ndryshëm si dhe pjesë të ndryshme të armëve.

Me këtë, në bazë të aktakuzës i pandehuri Shpëtim Begolli thuhet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, aktakuza thotë se të pandehurit Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviç dhe Vladica Milandinovic kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, Samin Qehaja, sipas aktakuzës në fjalë që prej periudhës së pavërtetuar e deri më 16 prill 2014, në shtëpinë e tij, pa leje valide të organit kompetent ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pushkë gjuetie të markës Calt, karikator si dhe 67 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe aktakuza e ngarkon për mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë