Pasi pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për vjedhje të biçikletës

IMG_4270
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shkurt 22, 2021

Vushtrri – Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri e ka dënuar me 1300 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të biçikletës, Jakup Mustafa.

Aktgjykimi ndaj të njëjtit është shpallur nga gjykatësi Agron Maxhuni, i cili fillimisht kishte shqiptuar dënim me burgim efektiv prej 6 muajve dhe 300 euro gjobë, mirëpo ky dënim të njëjtit me pëlqimin e tij është zëvendësuar me gjobë prej 1300 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Sahit Tmava, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe se një pranim i tillë ka edhe mbështetjen në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjykatësi Maxhuni, të akuzuarin Mustafa e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro si dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.

Ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizmin e kërkesës pasurore juridike.

Gjithashtu, gjykatësi Maxhuni i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 14 janar 2021 kishte ngritur aktakuzë ndaj Jakup Mustafa për veprën penale “Vjedhje”, nga neni 313 par.1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 17 korrik 2020, në Vushtrri në rrugën “Bedri Pejani”, i dëmtuari Nazif Istrefi para lokalit të tij kishte lënë biçikletën të paqelësuar, i akuzuari Mustafa me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë së luajtshme për veti apo për personin tjetër e merr biçikletën, ngjyrë e bronzet me të zezë pronë e të dëmtuarit me ç’rast, të njëjtit i shkakton dëm në vlerë prej 90 euro. /BetimipërDrejtësi