Pasi pranon fajësinë, dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë i akuzuari për narkotikë

Gjykata Themelore ne Peje (2)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Tetor 10, 2018

Pejë – Një vit burgim me kusht si dhe 200 euro gjobë, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit për posedim të narkotikëve, Ron Tahiri.

Mirëpo, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk do të kryej ndonjë vepër të re penale brenda një viti.

Ai është obliguar që të paguaj edhe paushalli gjyqësor prej 20 eurosh si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 50 eurosh.

Aktgjykimi është shpallur në seancën fillestare të së mërkurës, ku pas leximit të aktakuzës, i pandehuri e ka pranuar fajësinë, duke shprehur keqardhje për veprën e kryer.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe mbrojtësja e tij, avokatja Sabrie Abazi, si dhe nuk e ka kundërshtuar as prokurori Ardian Hajdaraj, e që më pas është aprovuar nga gjyqtari i çështjes, Sami Sharaxhiu.

Sipas aktakuzës së ngritur me 19 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Ron Tahiri, akuzohet se më 13 mars 2018, rreth orës 14:05, në “Parkun e Madh”, në Pejë, në afërsi të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, pa autorizim dhe në mënyrë të kundërligjshme ka posedurar substancë narkotike.

Pas një kontrolli të bërë sipas planit operativ të policisë “Stop drogave në shkolla”, substanca narkotike e cila i është gjetur të pandehurit, sipas aktakuzës, ishte e llojit marihuanë, me sasi prej 0.13 gram.

Ai akuzohej se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 par.1, lidhur me nenin 281 par.1 pika 1.7 të KPRK-së.