Pasi pranon fajësinë, dënohet me burgim me kusht dhe gjobë i akuzuari për vjedhje të pyllit

IMG_4269
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shkurt 22, 2021

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, e ka dënuar me dhjet muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë, të akuzuarin për vjedhje të pyllit, Lulzim Shabani.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Agron Maxhuni, dënimi me burgim prej dhjet muajve ndaj të pandehurit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti është obliguar që komunës së Vushtrrisë t’i kompensoj dëmin e shkaktuar në vlerë prej 771.12 euro.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Shabani është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 30 eurove dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Gjithashtu, gjykatësi Agron Maxhuni i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe në seancën fillestare, pasi është lexuar aktakuzë nga prokurori Dushko Manitasheviq, i akuzuari Shabani ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 4 qershor 2020 kishte përpiluar aktakuzën ndaj Lulzim Shabani për veprën penale “Vjedhja e Pyllit”, nga neni 358 par. 2 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 8 tetor 2017, në Pyllin pronë e Komunës në territorin e fshatit Sllakovc, në vendin e quajtur “Koshrishte”, është zënë duke i prerë drutë, 28 trungje të sasisë totale 5.04 metra kubë, lloji i drurit “ahu”, të diametrit 18-20cm, lartësisë 12 metra, ku dëmi total është në vlerë prej 771,12 euro, këtë dhe të njëjtat i ka transportuar pa dokumentacion përkatës. /BetimipërDrejtësi