Pasi pranon fajësinë, dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari për posedim të narkotikëve

FOTO PER WEB 11.10.2018
Author

Raporton: Albulena HUÇAJ

Tetor 11, 2018

Dragash – Dënim me gjobë në shumë prej 300 euro i ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të akuzuarit për posedim të narkotikëve, Rasim Alija.

Pagesa e dënimit me gjobë, duhet të behët në afat prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai është obliguar të paguaj edhe paushallin gjyqësor në shumën prej 20 euro, si dhe 30 euro në emër te shpenzimeve për kompensimin e viktimave te krimit.

Aktgjykimi është shpallur në seancën fillestare të së enjtes, ku pas leximit të aktakuzës, i pandehuri e ka pranuar fajësinë, duke shprehur keqardhje për veprën e kryer dhe ka premtuar se kurrë më nuk do ta përsëris një gjë të tillë.

Pranimin e fajësisë, nuk e ka kundërshtuar as prokurori Beqë Shala dhe e ka aprovuar gjykatësi i çështjes Bekri Vehapi.

Ndryshe, sipas aktakuzës se ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 13 gusht 2018, Rasim Alija, akuzohet se më 09 korrik 2018, rreth orës 21:45, në fshatin Zhaplluzhe, Komuna e Dragashit, në pikë kontroll zyrtarët policorë kanë ndalur automjetin “Opel Vecta”.

Gjate kontrollit në automjetin e të pandehurit, është hasur substancë narkotike me peshe rreth 1.23 gram e llojit marihuanë që përmban tetrahidrokanabiol.

Me këto veprime, i pandehuri Alija, akuzohej se ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 i Kodit Penal të Kosovës.