Pasi pranon fajësinë, dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Pallat
Author

Raporton: Premton SADIKU

Prill 12, 2021

Prishtinë – Pasi e pranoi fajësinë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 300 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Avni Gërbeshi.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën, nga gjykatësi Avni Syla, i akuzuari Gërbeshi obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, para leximit të aktakuzës, prokurori Hivzi Bajraktari bëri precizimin e saj, ashtu që në rreshtin e parë ku është shënuar “me datë 17.09.2018” të jetë “me datë 16.09.2016”, pasi tha se ishte bërë gabim teknik gjatë përpilimit të aktakuzës.

E pas leximit të aktit akuzues, Gërbeshi e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“E pranoj fajësinë. Këtë armë e kam pasur që nga koha e luftës dhe se nuk e kam mbajtur për ndonjë qëllim të keq dhe e ftoj gjykatën që t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese”, deklaroi i akuzuari Gërbeshi.

Me pranimin e fajësisë u pajtua prokurori Bajraktari, i cili tha se pranimi i fajësisë ka mbështetje në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më më 20 janar 2018, Avni Gërbeshi akuzohet se nga data e pacaktuar e deri më 16 shtator 2016, rreth orës 08:01, në Prishtinë, ka poseduar pa autorizim armën TT, ngjyrë e zezë, me një karikator me tetë fishekë, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Me këtë Gërbeshi akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi