Pasi mungoi avokati, lirohet nga paraburgimi i dyshuari për narkotikë, kurse shtatë seanca dështuan në Gjykatën e Mitrovicës

mitro
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Janar 10, 2019

Mitrovicë – Rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për kufizimin e qasjes së avokatëve në objektin e gjykatave, ka bërë që edhe këtë të enjte, të dështojnë disa seanca  në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Shtatë seanca kanë dështuar të mbahen si pasojë e mungesës së avokatëve.

Dështimin e këtyre seancave gjyqësore e kanë konfirmuar për  “Betimi për Drejtësi”, gjykatës të kësaj gjykate.

Lidhur me këtë, të enjten në Gjykatën Themelore të Mitrovicës,  ka dështuar të mbahet seanca kundër të akuzuarit për kryerjen e veprës penale “shtytja për kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë” nga neni 147 pika 7 lidhur me nenin 24  të Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës, Driton Latifi.

Gjykatësi i rastit, Radosllav Markoviq, ka bërë të ditur se për shkak të bojkotit të seancave gjyqësore me vendim të Odës së Avokatëve të Kosovës, mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Mahmut Halimi nuk ka prezantuar në seancë, me ç’rast kjo seancë është shtyrë për 13 shkurt 2019.

Po ashtu, të enjten, Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka liruar të dyshuarin për posedim të narkotikëve, pasi që në seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktim të masës së paraburgimit, nuk ka prezantuar mbrojtësi e që në rastin konkret mbrojtja është e detyruar.

Gjykatësi i rastit, Ali Kutllovci, në këtë seancë ku ka prezantuar prokurori Njazi Rexha dhe i dyshuari Kreshnik Kurti, ka deklaruar se janë bërë të gjitha përpjekjet nga ana e Gjykatës për të caktuar mbrojtës.

Ai tha se ka kontaktuar me Odën e Avokatëve si dhe me mbrojtësen e të dyshuarit Kurti, avokaten Fitore Ahmeti, e cila e ka përfaqësuar atë gjatë marrjes në pyetje në Polici, por sipas tij, nga ta është njoftuar se për shkak të vendimit të Odës së Avokatëve për bojkotim të seancave, as në këtë seancë nuk mund të prezantojë mbrojtësi.

Andaj lidhur me këtë, gjykatësi Kutllovci, tha se bazuar në instrumentet ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Kodin e Procedurës Penale, kjo seancë dëgjimore ndaj të dyshuarit Kreshnik Kurti, nuk mund të mbahet pa prezencën e mbrojtjes, dhe në këto kushte mori vendim me anë të së cilit sipas tij i dyshuari në këtë rast duhet domosdo të lirohet.

Ndryshe, shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.