Pasi i njihet pensioni, paditësi tërhiqet nga padia kundër MPMS-së

Gjykata69
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Mars 10, 2020

Prishtinë – Tahir Zuka, të martën, e ka tërhequr padinë që e kishte ushtruar kundër vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në vitin 2017, për njohjen e pensionit kontributdhënës nga kategoria e dytë.

Tërheqjen nga padia e tij, Zuka e ka bërë pasi që MPMS-ja, tashmë i ka njohur atij të drejtën në pensionin kontributdhënës të moshës nga kategoria e dytë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai gjatë seancës, deklaroi se meqenëse ka realizuar të drejtën e tij, nuk ka më interes juridik për të vazhduar konfliktin administrativ.

Gjykatësja e rastit, Lirije Maksutaj, mori aktvendim që të pezullojë procedurën.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 17 janar 2017, paditësi kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të anulojë vendimin e MPMS-së, si të pabazuar.

Këtë ai e kishte bërë, me pretendimin se i kishte përmbushur kushtet për të qenë përfitues i pensionit kontributdhënës të moshës, sipas kategorisë së dytë.

Ndërkaq, sipas vendimit të të paditurës, të marr më 12 janar 2017, paditësit Zuka i ishte refuzuar ankesa lidhur me kërkesën për realizimin e këtij pensioni sipas kategorisë së dytë, me arsyetimin se nuk ka shkollimin e nevojshëm për të qenë përfitues i këtij pensioni. /Betimipërdrejtësi