Pasi gjykata refuzon marrëveshjen për pranim fajësie, i akuzuari deklarohet i pafajshëm për dhënie ryshfeti

IMG_20181205_092655_336
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk e ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë, në rastin e njërit nga të akuzuarit për marrje e dhënie ryshfeti, Isak Luta.

Për dhënie ryshfeti akuzohet edhe Habib Luta, ndërsa në këtë rast të akuzuar janë edhe dy zyrtarë doganorë, Alban Krasniqi dhe Besnik Pollushka, si dhe zyrtari i firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo marrëveshje ishe arritur më 22 gusht 2018, pas negociatave në mes të akuzuarit Luta dhe prokurorit Kujtim Munishi.

Por, kjo marrëveshje sipas gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, nuk është në harmoni me shkresat e lëndës.

Pas refuzimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, vazhdoi procedura në mënyrë të rregullt, derisa i akuzuari Luta, më pas është deklaruar i pafajshëm.

Lidhur me marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, prokurori Kujtim Munishi, deklaroi kjo marrëveshje ishte arritur me të akuzuarin, me vullnetin e tij të lirë, dhe pa presion, në përputhje me dispozitat ligjore.

Mbrojtësi  i të akuzuarit, avokati Ali Beka, deklaroi se me rastin e negocimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, i mbrojturi i tij, në konsultim të mjaftueshëm me të, dhe në mënyrë vullnetare, pa qenë i detyruar apo shtrënguar, ka pranuar fajësinë duke marr parasysh të gjitha përfitimet dhe pasojat që lindin me rastin e pranimit të fajësisë.

Pas deklarimit të të akuzuarit Luta, gjykatësja Kuka-Mekaj, udhëzoi palët se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, zyrtarë doganorë, si dhe zyrtarit të firmës “Euro Joni Kosova” Liridon Borovci.

Sipas aktakuzës, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyretar”.

Siç pretendon prokuroria, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyretar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.

Ndërsa, siç pretendon prokuroria, i akuzuari tjetër, Liridon Borovci, si zyrtar i kompanisë “Euro Joni Kosova”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyretar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të fitojë çfarëdo dobie pasurore, për vete apo për personin tjetër, dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, vazhdimisht ka biseduar me të akuzuarin Besnik Polloshka dhe atëherë të akuzuarin Habib Luta, duke i bindur që të japin ryshfet shumën prej 450 euro, me qëllim të zhdoganimit të mallit.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 qershor 2018, kishte pranuar një kallëzim penal shtesë, për dy të dyshuarit për dhënie ryshfeti, Isak dhe Habib Luta.

Kjo prokurori më 22 gusht 2018, kishte bërë zgjerimin e aktakuzës, ku kishte përfshirë edhe dy të dyshuarit tjerë Isak dhe Habib Luta.

Prokuroria ata i ngarkonte me veprën penale “dhënie ryshfeti”, ashtu që më datën kohën  e njëjtë, i pandehuri Isak Luta, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar të holla në shumën prej 450 euro,  të pandehurve, zyrtarë doganorë, Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi.

Sipas prokurorisë, këto veprime i kanë bërë me qëllim që mallin e sjell nga Habib Luta, ta zhdoganojnë, duke mos e lajmëruar si mall të ri, por si të vjetër sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës.

Me këto veprime të akuzuarit Isak dhe Habib Luta, akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 429 par.1 i KPRK-së.

Por, pasi që Isak Luta kishte pranuar të hynte në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie, seanca ndaj tij ishte mbajtur ndaras nga i akuzuari tjetër Habib Luta.