Pasi dështon marrëveshja për pranim fajësie, të akuzuarit mohojnë se transportuan thasët me marihuanë

82258017_1566126096872885_6915469766916308992_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Janar 13, 2020

Gjakovë – Dy të akuzuarit për transportim të narkotikëve me qëllim të shitjes, Albert Memia dhe Armand Muçaj, janë deklaruar të pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Ata akuzohen se në gusht të vitit 2019, nga Shqipëria kanë transportuar në Kosovë katër thasë me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 29 kilogramë e 317 gramë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Meshari Selimaj dhe Gëzim Kollçaku, në seancën e mbajtur më 12 dhjetor të vitit 2019, kishin kërkuar që të hynin në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Prokurori Ramiz Buzhala, deklaroi se të hënën ishte e paraparë që të nënshkruhej marrëveshja për pranim të fajësisë, mirëpo para se të hyjnë në këtë shqyrtim gjyqësor, mbrojtësi i të akuzuarit Memia, avokati Gëzim Kollçaku, njoftoi se i mbrojturi i tij, nuk dëshiron të hyjë në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Më pas, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Buzhala, të akuzuarit Memia dhe Muçaj, deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Meqenëse, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Mentor Bajraktari ka caktuar 12 shkurtin për mbajtjen e shqyrtimit të dytë gjyqësor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Albert Memia dhe Armand Muçaj po ngarkohen me veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2019, rreth orës 12:30, pa autorizim transportojnë me qëllim të shitjes substanca narkotike, në atë mënyrë që në ditën kritike të pandehurit në fshatin Mejdan në Tropojë, e vendosin substancën narkotike në bagazh të automjetit të të pandehurit Albert Memia, i cili pasi kalon pikën kufitare në Qafë-Morinë, sipas marrëveshjes paraprake takohet me të pandehurit Armand Muçaj, tek pompa e derivateve “TZ”, në fshatin Mejë, pastaj me automjetin e tij të markës “Mercedes” niset në drejtim të qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, ku e parkon veturën në parkingun e kësaj qendre.

Siç thuhet tutje në aktakuzë, pastaj me automjetin “Mercedes” të të pandehurit Armand Muçaj  vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “Landi Star”, meqenëse policia kishte informacione se në veturën e të pandehurit Albert Memia, i cili kohë më parë e kishte parkuar te qendra tregtare “ETC”, kishte substancë narkotike, të njëjtit ndalohen nga ana e njësitit DHTN-së, të cilët pasi i kanë arrestuar i shoqërojnë tek automjeti i Albert Memias, ku pas kontrollit në pjesën e pasme, në bagazhin e automjetit kanë gjetur katër thasë të mbushura me substancë narkotike, e dyshuar për marihuanë, ku pas ekzaminimit ka rezultuar të jetë marihuanë, me peshë prej 29 kilogramë e 317 gramë. /Betimipërdrejtësi