Pas vendimit të Apelit, ndërrohet gjykatësi i cili dy herë refuzoi kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për anulimin e konkursit për noterë

Pallati 3
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Qershor 26, 2020

Prishtinë – Pas urdhrit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar gjykatësen Anita Nikçi–Morina që ta shqyrtoj dhe të vendosë lidhur me padinë e paditësit Ylli Bokshi, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë.

Përmes padisë së ushtruar më 3 mars 2020, Bokshi kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin atij i është pamundësuar të zgjidhet noter.

Paditësi, krahas padisë, kishte paraqitur edhe kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

E për gjykimin e këtij rasti ishte caktuar gjykatësi Hajriz Hoti, i cili dy herë radhazi kishte refuzuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të atakuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Hoti, më 6 mars 2020, kishte refuzuar një kërkesë të tillë duke mos e shtyrë ekzekutimin e vendimit në fjalë.

Vendimi në fjalë ishte anuluar pasi që Gjykata e Apelit, më 24 prill 2020, çështjen e kishte kthyer në rivendosje tek gjykatësi Hoti.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se aktvendimi i ankimuar ishte i përfshirë me të meta thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Sipas Apelit, aktvendimi nuk përmbante arsyet për faktet vendimtare dhe ishte i përfshirë në shkelje të dispozitave procedurale.

Apeli kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së parë që me rastin e  rivendosjes, kishte për obligim të vërtetoj saktë dhe drejtë gjendjen faktike dhe se a ka rrezik që paditësit t’i shkaktohet dëm i pariparueshëm, apo ekzekutimi i të njëjtit a është në dëm të interesit publik dhe të vlerësoj rëndësinë dhe dëmin që mund të shkaktohet me ekzekutimin e vendimit kontestues.

Mirëpo, gjykatësi Hoti kishte refuzuar sërish kërkesën e Bokshit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, më 23 maj 2020.

Por pas këtij vendimi, Gjykata e Apelit, me 8 qershor 2020, kishte aprovuar ankesën e paditësit dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

Krahas anulimit, Apeli kishte urdhëruar që lidhur me këtë çështje të vendos një gjyqtar tjetër i Departamentit për Çështje Administrative, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e paditësit Ylli Bokshi është e bazuar dhe se gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes nuk i kishte marr parasysh vërejtjet e gjykatës, duke vepruar njëjtë si në aktvendimin e parë.

“Gjykata e Apelit nisur nga kjo gjendje vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm pasi që i njëjti është marr në kundërshtim me dispozitat e procedurës kontestimore”, thuhet në vendimin e Apelit.

Pas këtij vendimi, gjykimi i çështjes do të vazhdoj nga gjykatësja Anita Nikçi – Morina.

Ndryshe ish-ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të këtij viti kishte marr vendim për anulimin e provimit të noterisë.

Provimin e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

Por, me këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ishin pajtuar kandidatët të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, e të cilët po kërkojnë që ky vendim të anulohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas anulimit të procesit të noterëve, një pjesë e këtyre kandidatëve të përzgjedhur kishin ushtruar padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Ministrisë së Drejtësisë.

Në mesin e paditësve ishte Ylli Bokshi, i cili përmes padisë së ushtruar më 3 mars 2020, e të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin atij i është pamundësuar të zgjidhet noter.

Në padi thuhet se vendimi i atakuar përmban shkelje të rënda të dispozitave ligjore.

“Aktvendimi i atakuar është kundërligjor, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Bokshit.

Mbi pretendimin se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë parti politike, se nuk ka asnjë familjar pjesë të ndonjë partie politike dhe se nuk ka asnjë lidhje familjare apo shoqërore me anëtaret e komisionit, Bokshi po kërkon nga kjo gjykatë që ky vendim i Ministrisë të anulohet si i kundërligjshëm.

Paditësi, krahas padisë, ka paraqitur edhe kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Padi kundër vendimit të Ministrisë, më 4 mars 2020, kishte paraqitur edhe paditësi Kreshnik Këndusi, i cili ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë të anulojë vendimin me të cilin Ministria e Drejtësisë kishte anuluar provimin e noterisë, duke iu pamundësuar atij përzgjedhja si noter.

Këndusi, përmes padisë,  e kishte  kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë, duke kërkuar që i njëjti të anulohet.

Paditësi pretendon se arsyetimi i vendimit sa i përket lidhjeve familjare apo partiake nuk ka fare të bëj me të.

“Aktvendimi i atakuar është kundërligjorë, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet ndër të tjera në padinë e Kënduesit.

Gjithashtu, edhe ai ka paraqitur kërkesën për masën e sigurisë, ashtu që deri në vendosjen e këtij konflikti administrativ të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Përveç kandidatëve që ishin përzgjedhur, edhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte reaguar kundër një vendimit të tillë të pasardhëses së tij në këtë dikaster qeveritar, Albulena Haxhiu.

Edhe Tahiri kishte paralajmëruar veprime ligjore kundër në vendimi të tillë.

“Shihemi në gjykatë”, e kishte përfunduar reagimin e tij ish-ministri Tahiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, të marr më 24 shkurt të këtij viti, është anuluar procesi i Provimit për Noterinë, të shpallur në prill të vitit 2019.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjatë procesit të dhënies së këtij provimi, janë shkelur parimet e parapara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2019.

Sipas vendimit, ky udhëzim parasheh që procesi të zhvillohet duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë, transparencë dhe objektivitetit.

Në vendim thuhet se është shkelur parimi i ligjshmërisë, pasi që fillimisht provimit për noterë nuk iu janë nënshtruar të gjithë kandidatët në të njëjtën kohë, duke bërë që provimi të zgjas më shumë se një ditë.

Po ashtu, në vendim thuhet se ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” me numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore e partiake.

“Ky proces ka prodhuar kandidatë të “suksesshëm” në numër shqetësues me lidhje familjare, miqësore dhe partiake, të cilët kanë mundur të ushtrojnë profesionin e noterit në dëm të interesit të përgjithshëm publik, dhe në dëm të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Pak ditë pasi kishte marr detyrën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një konference për media, më 20 shkurt kishte njoftuar se e ka anuluar provimin e noterisë.

Ajo kishte thënë se ky proces nuk ka pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

“Ky proces i konkursit kërkon ligjshmëri, transparencë dhe objektivitet. Nuk ka pasur, as ligjshmëri, as transparencë dhe as objektivitet. Në këtë mënyrë unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara këtë proces dhe shumica e kandidatëve janë militantë partiak apo familjarë”, kishte thënë ajo gjatë kësaj konference.

Ajo kishte thënë se ka pas deklarata edhe të ambasadorëve, se noterët e rinj nuk mund të njihen jashtë Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kemi pas deklarata edhe të miqve, si ajo e ambasadorit gjerman që kanë paralajmëruar se nuk mund të njihen jashtë Kosovës. Ka pasur edhe kërkesa të OJQ-ve që të kthehet në pikën zero, që është duke u hetuar edhe nga prokuroria. Të gjitha pagesat që janë paguar nga kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi do të kthehen. Ky vendim sot është sinjal i qartë se proceset e tilla, asnjëherë nuk do të përsëriten. Konkursi për provimin e noterisë do të shpallët së shpejti, nuk do të vonoj”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu.

Kundër këtij provimi, gjatë vitit 2019, kishte pasur reagime të shumta, duke e cilësuar atë si të komprometuar.

Në gusht të vitit të kaluar, gjashtë organizata të shoqërisë civile, kishin reaguar kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë (MD).

Sipas OJQ-ve, procesi në fjalë nuk mund të shtyhet përpara, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe komprometimit të këtij procesi në publik, duke shtuar se është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi.

Përmes këtij reagimi, këto OJQ kishin kërkuar nga Ministria e Drejtësisë rishikimin e vendimit për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero për ta vazhduar tutje një qeveri, e cila ka legjitimitet. /BetimipërDrejtësi