Pas tetë seancave, dënohet me 150 euro gjobë i akuzuari për vjedhje të shërbimeve të KEDS-it

119549711_356312545521796_562756001263866922_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shtator 15, 2020

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dënuar me 150 euro gjobë të akuzuarin për vedhje të shërbimeve, Florim Spahiu.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sadri Krasniqi, i akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Krasniqi, palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor, ndërkaq e dëmtuar KEDS, Distrikti në Gjilan për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Aktgjykimi ndaj Spahiut është shpallur të martën, pasi i akuzuari e ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se veprën e ka bërë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, duke kërkuar nga gjykata që atij t’i shqiptojë një dënim sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Huma Jetishi dhe atë e ka aprovuar gjykatësi Krasniqi.

Në fillim të seancës, gjykatësi Krasniqi ka njoftuar se i akuzuari kishte munguar disa herë në seanca dhe për këtë kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë, por që këtë nuk kishin arritur ta bënin zyrtarët policor.

Po ashtu, gjykatësi Krasniqi ka thënë se të akuzuarit i kishin mundësuar që lëndën e tij ta kryente në procedurën e ndërmjetësimit, por që edhe pse ai kishte pranuar ta bënte këtë, nuk i ishte përgjigjur kësaj.

Më pastaj, prokurorja Huma Jetishi ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga vepra penale “lidhja e paautorizuar në shërbime” në “vjedhja e shërbimeve”, pasi sipas saj kjo vepër është më e favorshme për të akuzuarin me Kodin e ri Penal.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 6 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Florim Spahiut, me arsyetimin se ai më 12 korrik 2018, në kohë të papërcaktuar dhe vazhdimësi, në shtëpinë e tij në Kamenicë, si konsumator i energjisë elektrike, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror ka përfituar nga shërbimet komunale.

Sipas aktakuzës, punëtorët e autorizuar të KEDS-it pas kontrollit të bërë tek ky konsumator, kanë vërtetuar se i njëjti ka bërë lidhje direkte nga shtylla elektrike pa vendosur njehsor elektrik dhe nga kjo lidhje ka furnizuar me energji elektrike pajisje të amvisërisë, ndërsa shpenzimet e krijuara nuk janë regjistruar dhe në këtë mënyrë i akuzuari të dëmtuarës KEDS, Distrikti në Gjilan i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 379.21 euro.

Me këtë, Florim Spahiu akuzohet se ka kryer veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”, nga neni 321 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi