Pas rikualifikimit të veprës penale, dënohet me 10 muaj burg dhe 1,200 euro gjobë inspektori i ATK-së i akuzuar për marrje ryshfeti

Gjakova (2)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 27, 2021

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj inspektorit të suspenduar të ATK-së, Driton Fetahu, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani fillimisht sipas detyrës zyrtare e ka bërë rikualifikimin e veprës penale të marrjes së ryshfetit ndaj të akuzuarit Fetahu sipas Kodit Penal të Kosovës që ishte në fuqi deri në vitin 2019, pasi që veprimet inkriminuese e të akuzuarit sipas dispozitivit të aktakuzës janë kryer fillimisht në vitin 2018.

E për këtë vepër penale të rikualfikuar, i akuzuari Fetahu është dënuar me 10 muaj burgim dhe 1,200 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dënimin me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa gjobën i njëjti është i obliguar që ta paguaj në afat prej një muaji nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 60 ditëve, duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burg.

Ndaj të akuzuarit është shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Fetahu është detyruar që të dëmtuarit Aliriza Hasku t’ia  kompensojë dëmin e shkaktuar në shumën prej 460 euro.

Ndërsa, gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Bledar Haskut, i cili në këtë rast akuzohej për dhënie ryshfeti, pasi që prokurori Ali Uka në fjalën e tij përfundimtare kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tij.

“Sa i përket të pandehurit Bledar Hasku, i pandehur për veprën penale “dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 2 i KPRK-së deklaroj se heq dorë nga ndjekja penale për veprën për të cilën akuzohej meqenëse pas administrimit të provave si ato materiale e po ashtu ato formale, dhe atë mbështetur në deklarimet e të dëmtuarit Aliriza Hasku, nga mbrojta e tij e po ashtu edhe pas dëgjimit dhe shikimit të CD-ve të njëjtat të bëra transkript është provuar se qëllimi i të pandehurit Bledar Hasku nuk ishte përfitimi i ndonjë dobie pasurore për vete apo tjetrin”, kishte deklaruar prokurori Ali Uka në fjalën e tij përfundimtare.

Ndryshe, fillimisht para se aktakuza të ndryshohej, i akuzuari Fetahu ngarkohej me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe atë të marrjes së ryshfetit në bashkëkryerje me ish të akuzuarin Hasku.

Sipas aktakuzës së përmirësuar për të dytën herë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Driton Fetahu po akuzohet se më 18 dhjetor 2018, në Prizren, pikërisht në një lokal-byfe në afërsi të ndërtesës së ATK-së në Prizren, i akuzuari duke qenë në pozitën e personit zyrtar, inspektor të ATK-së në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që prej të dëmtuarit Aliriza Hasku nga Rahoveci, përmes të pandehurit-tani të paraqiturit Bledar Hasku në mënyrë të tërthortë ka pranuar shumën prej 100 euro, e po ashtu më 14 janar 2019, në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit, i akuzuarit Driton nga i dëmtuari në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar një tavolinë së bashku me katër karriga në vlerë prej 360 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së përmirësuar herën e parë, Bledar Hasku akuzohej në kohë të pacaktuar të muajit janar të vitit 2019, duke qenë në cilësi të kontabilistit në zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, në mënyrë të tërthortë dhe me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ka pranuar të holla në shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Hasku, të cilat të holla ia ka dhënë të akuzuarit Driton Fetahu.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 2 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi