Pas rigjykimit, prokuroria kërkon sërish dënimin e ish-shefit të prokurimit në Gjilan, mbrojtja lirimin e tij

76941517_2490573771063270_7251456837914984448_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Nëntor 27, 2019

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, pas rigjykimit, ka kërkuar që ish-shefi i zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku, i cili akuzohet për fshehjen e materialeve arkivore, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë e ka dhënë prokurori Isuf Sadiku, në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku është dhënë fjala përfundimtare për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kçiku akuzohet nga prokuroria se kishte tejkaluar kompetencat e tij, duke punësuar dy familjarë jtë tij, në atë mënyrë që ka vendosur një Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ) “Psikoterapeutët në Veprim”, në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

E duke vendosur OJQ-në në fjalë në këtë zyrë, sipas prokurorisë, i akuzuari kishte asgjësuar apo fshehur edhe dosje të tenderëve.

Prokurori Isuf Sadiku ka deklaruar se edhe pas rigjykimit është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai ka thënë se pas analizimit dhe administrimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar fajësia e të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, fjalën e tij përfundimtare gjykatës i’a ka dorëzuar me shkrim, me ç’rast ka kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij.

“Konsideroj se në rastin konkret nuk është vërtetuar se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Andaj kërkoj nga ky trup gjykues që atë në mungesë të provave ta lironi nga akuza”, deklaroi avokati Piraj.

Pranë fjaës përfundimtare të mbrojtësit të tij ka qëndruar edhe i akuzuari Kçiku, duke kërkuar nga gjykata që ai të lirohet përfundimisht nga akuza që i vihet për barrë.

“Kam besim te trupi gjykues se do t vendos drejtë, dhe kërkoj që të më lironi nga përgjegjësia penale. Dhe se kjo e gjitha është bërë për arsye politike”, ka thënë i akuzuari Kçiku.

Kryetari i trupit gjykues, shpalljen e aktgjykimit në këtë rast e ka caktuar të bëhet më 29 nëntor 2019, në ora 9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 19 nëntor 2018, të akuzuarin Kçiku për veprën penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, e ka dënuar me shtatë muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Kurse, për keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, ai ishte liruar nga akuza, me arsyetimin se gjykata nuk ka gjetur prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohej se i akuzuari Kçiku ka keqpërdorë detyrën zyrtare.

Por, Gjykata e Apelit, më 12 shkurt 2019, këtë rast e ka kthyer rastin në rigjykim, sa i përket veprës penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, kurse e ka vërtetuar aktgjykimin lirues për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me rastin e atakimit të aktgjykimit të shkallës së parë dhe aprovimit të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Kçiku, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja në fjalë të kthehet në rigjykim për shkak të konstatimit se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar konform nenit 384 paragrafi 1 nën paragrafi 1.12 e lidhur me nenin 6 dhe 7  të Kodit të Procedurës Penale.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte ushtruar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Mirëpo, sipas Apelit, për shkak të anulimit të aktgjykimit të shkallës së parë, ankesa e prokurorisë sa i përket vendimit mbi dënim, tani për tani është jo lëndore.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 janar 2018, gjatë vitit 2014, i pandehuri Salih Kçiku, në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.

Aktakuza thotë se ai kompetencat i ka kaluar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për persona tjerë, duke punësuar dy familjarë të tij, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

Sipas aktakuzës, në këtë zyrë kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër të tjerash edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kçiku dhe mbesën Naime Bunjaku. /Betimipërdrejtësi