Pas rigjykimit, prokuroria kërkon dënimin e inspektorit në Kamenicë, mbrojtja lirimin e tij

76747340_2786449921418714_3336998909623926784_n (1)
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Nëntor 14, 2019

 

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim, sërish ka kërkuar dënimin e inspektorit të komunikacionit në Kamenicë, Sadullah Dërmaku, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Prokurori Agron Uka, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar që i akuzuari Dërmaku, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se konsideron se gjendja faktike është argumentuar dhe vërtetuar me dëshminë e dëshmitarëve, duke shtuar se fajësia është dëshmuar edhe nga transkriptet e përgjimeve, e që sipas tij, këto japin bazë të mjaftueshme se kjo çështje në mënyrë të qartë është përshkruar për nga mënyra koha dhe kryerja e veprës penale si në dispozitivin e aktakuzës.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se është e vërtetë se ai ka dhënë një fjalë përfundimtare më 28 janar 2019, dhe se pas shtjellimit të provave të serishme, gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nga përmbajtja e tyre nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer një vepër të tillë penale.

“Dhe atë nga fakti se me shiqimin e CD-së e cila u bë, njëherit vërtetohet se i akuzuari nuk e kishte kushtëzuar asnjëherë të dëmtuarin që ai të detyrohej të jap para në lidhje me zhvillimin e afarizmit biznesor. Në fakt kjo çështje u vërtetua edhe nga provat të cilat u shtjelluan, sepse asnjëherë i akuzuari Sadullah nuk e kishte gjobitur firmën përkatëse, e cila ishte regjistruar si “Taxi City”, dhe në rastin e arrestimin i njëjti vazhdimisht ka pohu se paratë janë marrë në emër të huas”, ka thënë avokati Piraj.

Në mungesë të provave, ai ka kërkuar nga gjykata lirimin e të mbrojturit të tij.

Ndryshe, para se të jepeshin fjalët përfundimtare, në seancën e së enjtes, janë dëgjuar edhe dëshmitarët Besnik Shabani, Hajush Halili dhe Petrit Isufi, është bërë leximi i shkresave të lëndës, shikimi një video-incizimi, si dhe ka dhënë mbrojtjen e tij, i akuzuari Dërmaku.

Dëshmitarët Shabani, Halili dhe Isufi kanë deklaruar se ata qëndrojnë pranë deklaratave të mëparshme të shqyrtimeve gjyqësore.

Ndërsa, duke dhënë mbrojtjen e tij, i akuzuari Dërmaku, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Shemsedin Piraj si dhe më pastaj prokurorit Agron Uka, ka thënë se paratë me shumë prej 500 euro, ia kishte kërkuar si hua të dëmtuarit Besnik Shabani.

Këto para sipas tij, ai i kishte marrë për të bërë pagesën e semestrit për djalin e tij.

“Besnik Shabanini, më ka ftu për një konsultim me të në zyrën e tij, në mëngjes të asaj dite, pasi s’kam pas kohë, ndërsa ai nuk donte të bisedonte sepse ishin kolegët tjerë tek zyra ime, dhe pastaj kemi shkua në orën 12 përafërsisht. Paret janë marrë në emër të huas deri në fund të muajit. Unë asnjëherë të dëmtuarin nuk i kam shqiptu as vërejtje dhe as se kam dënuar, edhe pse kam pas të drejtë ta dënojë të njëjtin”, ka thënë Dërmaku.

Madje, sipas tij, i dëmtuari i kishte ofruar 1500 euro atij si dhuratë, por ai këto para nuk i kishte pranuar.

“I kam thënë se nëse dëshiron mi jep 500 euro hua deri më datën 1. Fjalën “hallall” e përdori se ato i kam përdorë për fëmijët e mijë, dhe tu e ditë që zotëria është i sëmurë dhe një terapi i kushton 250 euro. Jam pendu që i kam kërku hua Besnikut, sepse nuk e kam ditur që ma bënë këtë kurth”, ka thënë i akuzuari Dërmaku.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar të bëhet me 18 nëntor 2019, ora 9:30.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të vitit 2018, të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë prej 300 euro.

Po ashtu, ndaj Dërmakut, gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Mirëpo, e pakënaqur me vendimin dhe arsyetimin nga shkalla e parë, ankesë në Apel kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Dërmaku, avokati Shemsedin Piraj, cili gjykatës së shkallës së dytë i kishte propozuar që të akuzuarin Dërmaku ta lirojë nga akuza apo lëndën ta kthej në rigjykim.

Ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit, më 13 gusht 2018, e kishte aprovuar Apeli, e cila lëndën e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar në formën e paraparë me ligj, duke e dërguar çështjen për rigjykim dhe vendim.

Gjithashtu, në vendimin e Apelit thuhet se, rrethanat të cilat janë marrë për bazë me rastin e shqiptimit të dënimin, nuk kanë të bëjnë me të akuzuarin Sadullah Dërmaku por me persona të tjerë, si dhe dispozitivi i të njëjtit aktgjykim është në kundërshtim me arsyetimin, për shkak se ka të bëjë me persona të ndryshëm, e nga kjo del se nuk kanë dhënë arsye mbi fakte vendimtare.

Pas kësaj, dhe pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjilan, më 31 janar 2019, përsëri ashtu si në gjykimin e parë, të akuzuarin Dërmaku e kishte dënuar me 15 muaj burgim efektiv, si dhe 300 euro gjobë.

Pos këtij dënimi, atij i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, atë të ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratë dhe shërbime publike në periudhë prej dy vitesh, por i cili dënim nuk do të zbatohej deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndaj këtij vendimi, përsëri ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, duke pretenduar në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, shkelje të dispozitave të Kodit Penal, vërtetim të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionit penal,  me propoimin që ankesa të aprovohet si e bazuar, dhe aktgjykimi të ndryshohet, ashtu që i akuzuari Dërmaku të lirohet nga përgjegjësia penale.

Ankesë në shkallën e dytë, kishte bërë edhe Prokuroria Themelore në Gjilan, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke kërkuar nga Apeli që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i rëndë.

Gjykata e Apelit, më 25 prill 2019, kishte marrë aktvendim me të cilin këtë vendim të Gjykatës Themelore sërish e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se ky aktgjykim përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se gjykata e shkallës së parë ka bërë ricilësimin e veprës penale të marrjes së ryshfetit në atë të ndihmës së kryerjes së kësaj vepre, sepse siç rezulton nga përshkrimi faktik i arsyetimit të aktgjykimit, por edhe nga provat dhe shkresat e lëndës, i akuzuari ka vepruar vetëm, dhe nuk ekziston asnjë person tjetër që ai të ketë mundur ta ndihmojë në ndonjë mënyrë, siç e parasheh neni 33 i KPRK-së.

Ndërkaq, sipas Gjykatës së Apelit, ankesa e prokurorisë tani për tani është jolëndore.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadullah Dërmakut, të cilin e ngarkon me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Dërmaku më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim qe vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro, para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar. /BetimipërDrejtësi