Pas rigjykimit, ish-shefi i prokurimit në Gjilan lirohet nga akuza për asgjësim apo fshehje të materialit arkivor  

Salih KCIKU
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 29, 2019

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, pas kthimit të rastit në rigjykim, ish-shefin e Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku, e ka liruar nga akuza për asgjësim apo fshehje të materialit arkivor.

Kçiku akuzohet nga prokuroria se kishte tejkaluar kompetencat e tij, duke punësuar dy familjarë të tij, në atë mënyrë që ka vendosur një Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ) “Psikoterapeutët në Veprim”, në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

E duke vendosur OJQ-në në fjalë në këtë zyrë, sipas prokurorisë, i akuzuari kishte asgjësuar apo fshehur edhe dosje të tenderëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj tij është shpallur të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, i cili ka thënë se gjykata nuk ka gjetur prova se i akuzuari Kçiku e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Haziri, brenda afatit ligjor mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas gjykatësit Haziri, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Ndryshe gjatë shpalljes së aktgjykimit, prezent në gjykatë ishin i akuzuari Salih Kçiku dhe mbrojtësi i tij, avokati Shemsedin Pira.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 19 nëntor 2018, të akuzuarin Kçiku për veprën penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, e ka dënuar me shtatë muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Kurse, për keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, ai ishte liruar nga akuza, me arsyetimin se gjykata nuk ka gjetur prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohej se i akuzuari Kçiku ka keqpërdorë detyrën zyrtare.

Por, Gjykata e Apelit, më 12 shkurt 2019, këtë rast e ka kthyer rastin në rigjykim, sa i përket veprës penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, kurse e ka vërtetuar aktgjykimin lirues për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me rastin e atakimit të aktgjykimit të shkallës së parë dhe aprovimit të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Kçiku, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja në fjalë të kthehet në rigjykim për shkak të konstatimit se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar konform nenit 384 paragrafi 1 nën paragrafi 1.12 e lidhur me nenin 6 dhe 7  të Kodit të Procedurës Penale.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte ushtruar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Mirëpo, sipas Apelit, për shkak të anulimit të aktgjykimit të shkallës së parë, ankesa e prokurorisë sa i përket vendimit mbi dënim, tani për tani është jo lëndore.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 janar 2018, gjatë vitit 2014, i pandehuri Salih Kçiku, në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.

Aktakuza thotë se ai kompetencat i ka kaluar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për persona tjerë, duke punësuar dy familjarë të tij, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

Sipas aktakuzës, në këtë zyrë kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër të tjerash edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kçiku dhe mbesën Naime Bunjaku. /Betimipërdrejtësi