Pas rigjykimit, dënohet me dy vjet burg i akuzuari vrasje të rëndë të mbetur në tentativë

18 shkurt 2020 shpallje foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shkurt 18, 2020

Pejë – Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me dy vjet burg dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Metë Dervishaj.

Ndërsa, i akuzuari Shkëlqim Dervishaj është dënuar me tre muaj burg për armëmbajtje pa leje, ku koha e kaluar në paraburgim pasi është llogaritur, është konsideruar si mbajtje e dënimit.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, i pandehuri Metë Dervishaj detyrohet që gjobën në shumë prej 500 euro të paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Ndërsa, i dëmtuari Jeton Zogaj është udhëzuar në kontest civil, kurse, palët u njoftuan se kanë të drejtë e ankesës kundrejt këtij aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Pejë, në prill të vitit të kaluar e kishte ricilësuar aktakuzën ndaj të pandehurit Metë Dervishaj, prej tentim vrasjes së rëndë në atë të lëndimit të lehtë trupor. Pas kësaj, Metë Dervishaj ishte dënuar më gjashtë muaj burgim, ku me pëlqimin e tij e kishte kthyer në gjobë në shumë prej 3600 euro.

Ndërsa, i akuzuari tjetër Shkëlqim Dervishaj për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte dënuar me tre muaj burgim, i cili dënim është konsideruar i ekzekutuar, pasi që i është llogaritur koha e  kaluar në paraburgim prej 2 gusht 2015, deri më 2 nëntor 2015.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë aktgjykim, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli kishte vlerësuar se Gjykata e Pejës nuk kishte dhënë arsyetim nëse i pandehuri Metë Dervishaj kishte dhënë pëlqimin për gjobën e zëvendësuar dhe se kishte konstatuar mangësi në vërtetimin e gjendjes faktike.

Në rigjykim, i akuzuari Metë Dervishaj është gjykuar sipas aktakuzës fillestare, ku ai ngarkohej me veprat penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë, pretendohet se i akuzuari Metë Dërvishaj, më 2 gusht 2015, rreth orës 21:00, në fshatin Isniq, Komuna e Deçanit, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Jeton Zukaj, i cili ishte ulur në një lokal, dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e personave të tjerë, të dëmtuarve, Imer Zukaj dhe Jeton Zukaj, të cilët ishin së bashku.

I akuzuari Metë Dërvishaj, sipas aktakuzës, i është afruar të dëmtuarve me veturën e tipit “Audi A6” dhe në largësi prej rreth tre metrash, ka shtënë me pistoletë të markës “CZ”.

Më pastaj, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari largohet me shpejtësi, duke e lënë të plagosur në këmbën e djathtë mbi gju, të dëmtuarin Jeton Zukaj, si dhe të dëmtuarin Imer Zukaj në pjesën e pasme të kokës.

Gjithashtu, i akuzuari Metë Dervishaj, ngarkohet edhe me akuzën se në të njëjtën datë, vepra penale e lartcekur ka rezultuar si pasojë e mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, vepër e paraparë me nenin 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

I akuzuari Shkëlqim Dërvishaj, akuzohet me pretendimin se e ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armën, me të cilën i akuzuari Metë Dërvishaj e ka kryer veprën penale. /Betimipërdrejtësi