Pas rigjykimit, dënohen me mbi 41 vjet burgim katër të akuzuarit për vrasjen e vitit 2012 në Lipjan

20190415_093343
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Prill 15, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, i ka dënuar me mbi 41 vjet burgim të akuzuarit Arian, Mentor, Shpend dhe Xhevahir Agushi, të cilët akuzoheshin se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, Arian Agushi është dënuar me 21 vjet burgim, Mentor Agushi me 11 vjet burgim, ndërsa të akuzuarit Shpend dhe Xhevahir Agushi, janë dënuar me nga 4 vjet e 10 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarve Arian dhe Mentor Agushi, u është vazhduar masa e paraburgimit.

Ndërsa, Arian Agushi në mungesë të provave është liruar nga akuza për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ndaj të gjithë të akuzuarve për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, është shqiptuar aktgjykim refuzues, pasi për këtë vepër prokurori Armend Hamiti, është tërhequr nga ndjekja penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor 2015, kishte shpallur aktgjykim, me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë, për veprat penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Të njëjtit i kishte dënuar me rreth 38 vjet burg, ashtu që i akuzuari Arian Agushi ishte dënuar me 19 vjet burgim, Mentor Agushi me 14 vjet, ndërsa Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi ishin dënuar me nga 5 vjet burgim.

Aktgjykimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, me rastin e shqyrtimit të ankesave të deponuara nga të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre, mirëpo pasi lënda kishte shkuar në shkallën e tretë, Gjykata Supreme e Kosovës kishte anuluar të dy aktgjykimet dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallën e parë.

Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2012, Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi, akuzoheshin se në bashkëkryerje me dashje e kanë privuar nga jeta të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit me 12 prill 2012, në fshatin Gadime e Epërme, në Lipjan, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me paramendim, kanë shkuar në arën e të dëmtuarit Nuredin Demiri, cili ishte duke punuar me djalin e tij, kishin sulmuar të dëmtuarin Nuredin Demiri.

Sipas aktakuzës, me të shkuar në arën e të dëmtuarit, i akuzuari Mentor Agushi, kishte gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe e kishte goditur në këmbën e djathtë.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohej se me pushkën e gjuetisë gjuan në drejtim të Ramdan Nuredini, të cilit i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Katër të pandehurit akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shitje të paautorizuar të armëve.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohej edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shtënë disa herë me armë në oborrin e stacionit.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /Betimipërdrejtësi