Pas pranimit të fajësisë për marrje ryshfeti ish-punëtori i IKSHKP-së dënohet me 1, 200 euro gjobë

IMG_3931
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Prill 6, 2021

Prishtinë –  Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish–punëtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Betim Selimi, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Sipas prokurorisë, Selimi më 30 dhjetor 2020, në cilësinë e punëtorit teknik-staf mbështetës për teste COVID-19 kishte kërkuar dhe marrë 20 euro ryshfet për kryerjen e testit në mënyrë të përshpejtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi deklaroi për “Betimi për Drejtësi” se ndaj të akuzuarit Selimi është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,200 euro gjobë pas pranimit të fajësisë gjatë seancës së mbajtur të martën.

Gjykata ndaj Selimit ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 200 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Ndaj të akuzuarit, gjykata ka shqiptuar dënim unik me gjobë në shumë prej 1,200 euro.

Në emër të paushallit gjyqësorë i akuzuari obligohet të paguaj shumën prej 30 euro.

Gjatë paradites së të martës ishte mbajtur seanca fillestare në këtë rast, gjatë së cilës i akuzuari Selimi kishte pranuar fajësinë për veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merrushe Llugiqi, i akuzuari Betim Selimi deklaroi se e pranon fajësinë dhe ndjehet i penduar.

Ai deklaroi se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin dhe i premtoi gjykatës se nuk do të përsërisë më vepra të tjera penale.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit u pajtua edhe prokurorja Llugiqi, e cila i propozoi gjykatës që ta pranoj pranimin e fajësisë nga i akuzuari, me arsyetimin se është bërë me vullnet dhe gjen mbështetje në të gjitha provat e lëndës.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi kërkoi nga i akuzuari të di se cila ishte pozita e tij, pasi që gjatë identifikimit të tij para gjykatës, i njëjti deklaroi se pozita e tij kishte qenë staf teknik mbështetës, ndërkaq në aktakuzë thuhet se pozita e tij kishte qenë teknik laborant i stafit për teste COVID- 19.

I akuzuari deklaroi se pozita e tij kishte qenë staf teknik mbështetës dhe jo laborant.

Pas kësaj, prokurorja Merrushe Llugiqi bëri precizimin e aktakuzës për sa i përket pozitës së të akuzuarit, duke e precizuar nga teknik laborant i stafit për teste COVID-19, në staf teknik mbështetës.

Pas precizimit të aktakuzës, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bekim Kelani deklaroi se e mbështet deklarimin e të mbrojturit të tij dhe se ky pranim i fajësisë ka ardhur pas konsultimit të mjaftueshëm me të.

Ai i propozoi gjykatës që me rastin e majës së lartësisë së dënimit të marr parasysh rrethanat lehtësuese, ashtu që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptoj dënim me gjobë.

Gjykata aprovoi pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari dhe njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet pasdite, në ora 15:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 janar 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj Betim Selimit, me arsyetimin se kishte kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, Selimi më 30 dhjetor 2020, në zyrat e IKSHPK-së, në cilësinë e punëtorit teknik-laborant i stafit për teste COVID-19 kishte kërkuar dhe marrë 20 euro ryshfet nga e dëmtuara Adelina Ahmeti, për kryerjen e testit për COVID–19, në mënyrë të përshpejtuar. /BetimipërDrejtësi