Pas plotësimit të aktakuzës nga prokuroria, vazhdon shqyrtimi dytësor ndaj mjekëve të QKUK-së Kushtrim e Sebahate Gashi

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Pas plotësimit të aktakuzës nga prokuroria, me pajtimin e palëve, gjykatësi Valon Kurtaj vendosi që shqyrtimi dytësor të vazhdoj. Pas rileximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, mbrojtësit e të akuzuarve Kushtrim e Sebahate Gashi, avokatët Behar Ejupi dhe Merita Stublla thanë se qëndrojnë prapa kërkesës së tyre për hedhje të aktakuzës.

Avokati Ejupi tha se prapë vlerëson se kjo aktakuzë nuk është e bazuar në ligj, dhe se edhe pas kinse këtij plotësimi, aktakuza është në kundërshtim më kodin e procedurës penale. Ai shtoi se, prapë nuk po arrihet të kuptohet se kush është i dëmtuar dhe sa është dëmtuar, me veprimet e klientit të tij.

“Aktakuza ka shpërputhje në mes veti dhe ne si mbrojtje shpresojmë që gjykata do ta vlerësoj këtë, dhe ta hedhë poshtë aktakuzën në tërësi”, tha avokati Ejupi.

Avokatja Merita Stublla, tha se aktakuza e ngritur nga prokuroria i plotëson të gjitha kushtet për ta hedhur poshtë. Ajo shtoi se në vitin 2001, vit ky për të cilin pretendohet se janë kryer veprat penale sipas aktakuzës, e mbrojtura e saj nuk kishte qenë duke punuar në QKU.

“As shtëpia në të cilën pretendohet se ka qenë ordinanca private e të akuzuarve, nuk ka qenë në vitin 2001. E njëjta është ndërtuar në vitin 2009. Prandaj kjo aktakuzë duhet të hidhet poshtë nga gjykata”, tha avokatja Stublla.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se mjekët e QKUK-së, Kushtrim Gashi dhe Sebahate Gashi, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke vjedhur barna nga lista esenciale. Sipas prokurorisë, gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e të akuzuarve janë gjetur pajisje mjekësore, në bazë të së cilës vërtetohet se të njëjtit pa autorizim kanë ushtruar veprimtari mjekësore. Prokuroria pretendon se këtë veprimtari të akuzuarit e kanë ushtruar në Ordinancën Specialistike “Kirurgjike Proktologjike”, duke bërë ndërhyrje tek pacientë të ndryshëm, si dhe duke i sjellë vetit përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë rreth 13,992 euro.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë ngarkon të njëjtit me veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”. Të pandehurit akuzohen se prej vitit 2001 e deri më 20 maj 2015, kanë punuar në ordinancën e tyre specialistike pa autorizim ligjor dhe pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë. Më pas të pandehurit pretendohet se kanë vjedhur produktet medicinale, me qëllim të shitjes për pacientët e trajtuar në ordinancën e tyre. Prokuroria pretendon se produkte medicinale me banderola të Ministrisë së Shëndetësisë, janë gjetur gjatë kontrollit në ordinancën në fjalë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë