Pas përjashtimit të anëtarit të kolegjit, Apeli sërish shqyrton ankesat e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës dhe një biznesmeni

IMG_4337
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Prill 26, 2021

Prishtinë – Gjykata e Apelit ka shqyrtuar sërish ankesat e ish-shefi i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti, nëntë ish-inspektorëve tjerë si dhe biznesmenit Qemajl Pozhegu.

Këtë Gjykata e Apelit e kishte bërë edhe më 25 mars 2021, mirëpo për shkak të rrethanave që kanë quar në përjashtimin e anëtarit të kolegjit, gjykatësit Xhevdet Abazi, konform dispozitave ligjore Gjykata e Apelit ka shqyrtuar sërish ankesat për këtë rast.

Njoftimin për këtë rrethanë e bëri kryetari i kolegjit, gjykatësi Burim Ademi, gjatë seancës së mbajtur të hënën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Janë paraqitur rrethana pas përfundimit të seancës që gjyqtari e ka njoftuar kryetarin se në njërin nga objektet banesore ku pjesë e kësaj akuze ka qenë në shqyrtim paraprak, përkundër se ai objekt  më pastaj rezulton ta ketë marr lejen e ndërtimit, gjyqtari në periudhë shumë më të hershme kishte blerë një banese dhe në të cilën ende vazhdon të banoj”, tha gjykatësi Ademi.

Sipas gjykatësit Ademi, kryetari i gjykatës ka gjetur rrethana të mjaftueshme për përjashtimin e gjykatësit.

Kolegji i plotësuar me gjykatësin Kreshnik Radoniqi, shqyrtoi ankesat e palëve të cilët u pajtuan që të njëjtat të konsideroheshin të lexuara.

Fillimisht gjykata pyeti një e nga një të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre nëse të njëjtit pajtohen që të mos bëhet ri referimi i lëndës nga ana e gjykatësit referues, për çka të gjitha palët u pajtuan.

Ndryshe, gjatë seancës së mbajtur më 25 mars 2021, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e ushtruara ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish-shefi i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti, nëntë ish-inspektorë tjerë si dhe biznesmeni Qemajl Pozhegu, kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit që të lirohen nga akuza për korrupsion apo rasti ndaj tyre të kthehet për të dytën herë në rigjykim.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, duke pretenduar se ekziston vepra penale e krimit të organizuar, duke mos u pajtuar me cilësimin juridik të bërë nga gjykata e shkalles së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas ankesës së PSRK-së, dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë janë dënime mjaft të buta dhe nuk e reflektojnë dëmin dhe seriozitetin e dëmeve që i janë shkaktuar Komunës së Prishtinës përmes ndërtimit të objekteve pa leje.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, ka mbështetur ankesën e PSRK-së, duke propozuar që e njëjta të aprovohet si e bazuar.

Gjykata Themelore e Prishtinës me 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Për keqpërdorim detyre i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12,000 euro.

Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumë prej 10,000 euro.

Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumë prej 8,000 euro.

Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18,000 euro gjobë.

Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.

Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Haliti, avokati Ramiz Krasniqi kishte deklaruar se nga 36 objekte që pretendohet se ishin ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme, vetëm dy prej tyre nuk kishin pasur leje, dhe sipas tij, nëse këto objekte kishin pasur qarkullim juridik, atëherë në këtë rast nuk ekzistonte vepër penale.

Sipas tij, vepra penale do të ishte kryer nëse të akuzuarit do ti kishin rrënuar këto objekte, pasi sipas avokatit, në asnjë ligj nuk thuhet se shefi i inspeksionit kishte qenë i obliguar të bëjë rrënimin e objekteve, por sipas tij rrënimi i objekteve bëhet nga ana e inspektorit.

Lidhur me dy veturat që të akuzuarit Haliti i ishin konfiskuar, avokati Krasniqi kishte thënë se njëra veturë kishte qenë e nipit të tij dhe tjetra e djalit dhe PSRK-ja këto veprime i kishte bërë për të arsyetuar se gjoja se ka krim të organizuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mërgim Shala kishte thënë se nuk ka prova me të cilat vërtetohet se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale, prandaj i njëjti ka deklaruar se mbetet pranë ankesës së parashtruar me shkrim.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Canolli, avokatja Ibadete Veliqi- Ajvazi kishte thënë se mbetet pranë ankesës së dorëzuar me shkrim, duke propozuar që të aprovohet si e bazuar dhe që i akuzuari Canolli të lirohet nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarës Syla, avokati Halit Shaljani kishte thënë se e mbrojtura e tij kishte vepruar në fillim të procesit të gropimit dhe se e njëjta kishte nxjerrë vendim për rrënim të cilat i kishte dorëzuar në zyrën e shefit të inspeksionit.

Ai ka thënë se në këtë rast nuk kishte dëm të pretenduar pasi sipas avokatit të gjitha lejet ishin marrë dhe për të cilat ishin bërë edhe pagës, prandaj sipas tij, për të akuzuarin Syla nuk ekzistonte asnjë element që përben vepër penale.

Mbrojtësi i Abdullahut, avokati Ali Beka kishte thënë se aktgjykimi i shkallës së parë ishte mbështetur me prova të papranueshme, pasi masat e fshehta teknike ishin zbatuar pas 6 muaj para se të nxjerrët aktvendimi për fillim të hetimeve.

Sipas tij, inspektorët ishin dënuar për mosveprim, por sipas tij, në momentin kur një inspektor ka dashur ta dërgojë punën deri në rrenim, kryetari i komunës iu kishte thënë se nuk kishte qenë punë e tyre dhe se të mbrojturin e tij përveç që e kishin suspenduar, ia kishin ndërruar edhe vendin e punës, ndërsa sipas avokatit, të gjitha objektet ose ishin pajisur më vonë me leje ose kishin qenë në procedurë të legalizimit.

Avokati Emrush Kastrati i cili e mbron të akuzuarin Muhadri kishte thënë se shkalla e parë veprimet e të mbrojturit të tij i kishte pranuar si të ligjshme mirëpo kishte vepruar në të kundërtën.

Sipas tij, nuk qëndrojë pretendimet e gjykatës se kishte pasur neglizhencë në punën e tij, por sipas Kastratit ai me kohë kishte dalë në teren dhe me kohë kishte lëshuar vendimin për rrenim, por ishte penguar procesi i punës, pasi dikush tjetër sipas avokatit e kishte pasur çështjen e rrënimit.

“Elementi i dashjes cili ka qenë, ligji thotë se duhet të ndalohen punimet dhe të rrënohen menjëherë, vendimet janë nxjerrë me kohë, mbi bazën e gjendjes faktike të interpretuar gabimisht është akuzuar dhe shpallur fajtor. Propozojmë që ta anuloni aktgjykimin e shkallës së parë dhe ta lironi nga akuza”, kishte thënë avokati Kastrati.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Cenaj, avokati Ramë Gashi e kishte kundërshtuar ankesës e PSRK-së lidhur me cilësimin juridik të veprës penale të krimit të organizuar nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa ka propozuar që ankesa e tij të aprovohet si e bazuar.

Mbrojtës i Ibishit, avokati Sahit Bibaj kishte thënë se me asnjë provë nuk ishte provuar se i akuzuari Ibishi kishte kryer veprën penale, për të cilin kishte marrë edhe një dënim, pasi sipas tij me asnjë provë nuk ishte provuar ndonjë element inkriminues për të mbrojturin tim.

Ai kishte thënë se të akuzuarin kishin pasur një kontratë të punës dhe se detyrë e tyre kishte qenë që të ishin prezent gjatë ekzekutimit të vendimet, por sipas tij, vendimet për ekzekutim të akuzuarin nuk ki kishin marrë dhe se vet komuna kishte kontraktuar një kompani të veçantë për rrënime.

“Prokuroria në vend që të ngrit aktakuzë ndaj atyre që kanë bërë ndërtime pa leje, ka parashtruar aktakuzë ndaj tyre që nuk kanë mujt me ndalë këtë dukuri, me asnjë provë nuk është vërtetuar dëmi, nëse dobi kanë pasur ndërtuesit ka mujt mos mu leju, por i akuzuari nuk është fajtor për këtë”, kishte deklaruar avokati Bibaj.

Pranë ankesës kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishte qëndruar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Ajeti, avokati Labinot Murati i cili ka thënë se shkalla e parë nuk i kishte marrë për bazë rekomandimet e Gjykatës së Apelit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë ishte nxjerrë pa u vërtetuar faktet duke shkelur edhe ligjin penal.

Që ankesa e PSRK-së të refuzohet si e pabazuar kishte kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Rukiqi, avokati Destan Rukiqi, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe e akuzuara Rukiqi të lirohet nga akuza, ose rasti të kthehet në rigjykim.

Sipas tij, në rast se Apeli këtë rast do ta kthejë në rigjykim, atëherë duhet të bëhet edhe ndryshimi i trupit gjykues, pasi sipas tij, shkalla e parë nuk kishte marrë parasysh asnjë sugjerim të Apelit, dhe se në aktgjykim të dytë vetëm kishte përshkruar aktgjykimin paraprak,

Avokati Ibrahim Dobruna i cili e mbron të akuzuarin Pozhegu kishte thënë në rastin konkret edhe nëse kishte ekzistuar vepër penale, cilësimi juridik ishte krejtësisht i gabuar dhe se ardhja deri të një aktgjykim dënues për të mbrojturin e tij ishte udhëhequr nga një paragjykim nga ana e prokurorisë lidhur me pretendimin se ka kryer vepër penale.

Ndryshe, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkohen edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohet edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11.000 euro si dhe një pistoletë.

Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1,000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10,000 franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20,000 euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal. /BetimipërDrejtësi