Pas përfundimit të procedurës së provave, prokurori tërhiqet nga aktakuza

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Pas përfundimit të procedurës së provave, në rastin ndaj inspektorëve bujqësor, Mexhit Halimi, Shpejtim Arifaj dhe Enver Fetiu, prokurori i rastit, Agron Matjani, ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Aktakuza, të pandehurit, i akuzonte se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare si inspektorë, gjatë inspektimit të fermës së deleve, të të dëmtuarit Jeton Zllanoga nga Rahoveci.

Organi i akuzës, i akuzonte se nuk kanë bërë inspektimin e deleve të të dëmtuarit Jeton Zllanoga, duke i pamundësuar të njëjtit që të marrë subvencion për tri vite.

Të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka përfunduar gjykimi ndaj inspektorëve të akuzuar, pasi që prokurori u tërhoq nga akuza.

Fillimisht rreth rastit është deklaruar i dëmtuari Jeton Zllanoga, i cili ka thënë se në vitin 2012 ka aplikuar për të marrë subvencion për 118 delet që ka pasur, por se nuk e dinte se pse nuk i kishte marrë.

Më tej ka shtuar se nuk dëshiron që të dënohen inspektorët dhe se nuk kërkon kompensim të dëmit material që i është bërë.

Poashtu ka dëshmuar edhe vëllai i tij, Faik Zllanoga, i cili kishte pritur inspektorët në ditën kritike dhe kishte nënshkruar procesverbalin.

Ky dëshmitar ka thënë se inspektorët kanë ardhur te shtëpia e tij dhe kanë kërkuar Jetonin, ky u kishte thënë se nuk ishte Jetoni aty, më pas inspektorët kishin insistuar që ai të nënshkruajë procesverbalin, të cilin nuk e kishte lexuar.

Ka dëshmuar edhe kryeinspektori në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Qamil Mataj, i cili ka dëshmuar se të akuzuarit e kanë njoftuar menjëherë për problemin e familjes Zllanoga.

Ai ka thënë se, së bashku me inspektorët, ka shkuar në zyrën e drejtorit të Departamentit të Pagesave Direkte, Luan Statovci, ku kanë biseduar rreth këtij problemi, më pas ata nuk kanë pasur përgjegjësi rreth lejimit të mjeteve apo jo.

Ky departament ka vendosur që për shkak të parregullsive dhe moslejimit të inspektimit të deleve nga Jeton Zllanoga, të njëjtit t’ia ndalojë përfitimin e subvencionit për tri vite.

Të akuzuarit në mbrojtjen e tyre kanë thënë se kanë shkuar së bashku te Jeton Zllanoga, pasi që i njëjti nuk ishte në shtëpi, kanë biseduar me nënën dhe vëllanë e tij.

Sipas tyre, vëllai i tij, Faiku, e ka thirrur Jetonin me telefon dhe ia ka dhënë inspektorit Mexhit për të folur.

I akuzuari Mexhit, në mbrojtjen e tij ka deklaruar se Jetoni, përmes telefonit, i ka thënë atij se paratë e subvencionit i ka marrë, andaj nuk ka nevojë që të inspektohen delet e tij.

I njëjti, pas një konsultimi me eprorët e tij në ministri, ka shënuar fjalët e të dëmtuarit në procesverbal dhe ia ka dhënë vëllait të të dëmtuarit për të nënshkruar.

Sipas të akuzuarve eprorët u kishin thënë që të linin procesverbalin të hapur deri sa të vërtetojnë nëse i ka marrë paratë i dëmtuari ashtu siç ka pretenduar.

Të akuzuarit kanë thënë se ata kanë pasur përgjegjësi vetëm që të bëjnë inspektimin në teren dhe në këtë inspektim kanë vepruar sipas rregulloreve të ministrisë.

Prokurori i rastit Agron Matjani, pasi ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe të akuzuarit, në fjalën e tij përfundimtare, është tërhequr nga aktakuza.

Ai ka thënë se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se inspektorët e kanë kryer detyrën sipas ligjit dhe nuk kanë vepruar në dëm të Jeton Zllanogës.

Matjani, ka shtuar se i dëmtuari ka pasur të gjitha mundësitë e ankesës, të cilat nuk i ka shfrytëzuar, ka refuzuar që të inspektohen delet e tij dhe se të akuzuarit nuk kanë vendosur nëse i njëjti duhet apo nuk duhet të marrë subvencionin.

Kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, ka përfunduar gjykim dhe ka njoftuar palët se shumë shpejtë do të marrin aktgjykimin refuzues, me shkrim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë