Pas kthimit të lëndës në rigjykim, përsëri deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e policit në Skenderaj

Nora Kelmendi- Raporti për Web- Rasti Maliq Biringjiku-  6 dhjetor 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Dhjetor 6, 2018

Mitrovicë – Maliq Biringjiku, i akuzuar për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj, është deklaruar i pafajshëm në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Për vrasjen që kishte ndodhur në shtator të vitit 2015, si dhe vrasjen në tentativë të dëmtuarit Arsim Fejza, i akuzuari Biringjiku nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, më 18 maj 2018, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 21 vjet burgim.

Por, pas aprovimit të ankimimit të mbrojtësit të të akuzuarit Biringjiku, avokatit Ndrecë Dodaj, Gjykata e Apelit, me anë të aktvendimit të marrë më 18 tetor 2018, lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Sikurse në shqyrtimin gjyqësor paraprak, i akuzuari Biringjiku edhe këtë të enjte, ka mohuar se ka kryer vrasjen e Valon Goxhulit, e që sipas aktakuzës së Prokurorisë, ngarkohet se këtë e ka kryer me qëllim hakmarrjeje.

Pas kthimit të lëndës në rigjykim, kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, kërkoi nga përfaqësuesit e palëve në procedurë, që të deklarohem rreth administrimit të provave të propozuara në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Lidhur me këtë, përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, avokatët Albana Kelmendi dhe Xhafer Maliqi, kërkuan nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, që edhe një herë të ftohen të gjithë dëshmitarët e propozuar të cilët janë dëgjuar si dëshmitarë në shqyrtimin paraprak, duke mos mbështetur deklaratën e prokurorit të rastit, Njazi Rexha, që dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar më parë të lexohen.

Kërkesat e avokatëve Kelmendi dhe Maliqi, u aprovuan nga ana e trupit gjykues, me ç’rast meqenëse për seancën e së enjtes gjykatësi Beqir Halili deklaroi se nuk janë ftuar dëshmitarët dhe nuk ka mundësi që ata të sigurohen për këtë seancë, seanca e së enjtes është shtyrë dhe e njëjta është caktuar të mbahet më 22 dhe 23 janar 2019.

Sipas gjykatësit Halili, në seancën e 22 janarit do të ftohen të japin dëshminë e tyre, Nazlije Fejza- Goxhuli, Arsim Fejza dhe Sokol Ibishi,  ndërkaq që më 23 janar, tha se do të ftohen dëshmitarët Ramadan, Behram dhe Kasim Biringjiku.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 27 korrik 2017,  Maliq Biringjiku, akuzohet se më 29 shtator 2015, në Komunën e Skenderajt, me dashje dhe me qëllim hakmarrjeje ka privuar nga jeta tashmë të ndjerin Valon Goxhuli, për vrasjen e mëhershme të Bekim Biringjikut.

Sipas prokurorisë, i akuzuari, këtë vepër e ka kryer përderisa viktima është ndaluar me veturë, ku së bashku me të ishin bashkëshortja e tij dhe shoku i tij, Arsim Fejza. Më pas, i akuzuari sipas prokurorisë, ka shtënë me pushkë automatike “AK-47”, duke qëlluar, tashmë të ndjerin, Goxhuli, të cilit i ishin shkaktuar gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave edhe kishte vdekur. Me këtë rast, i akuzuar gjithashtu kishte rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe kalimtarëve të rastit.

Me këtë, Biringjiku akuzohet të ketë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179  paragrafi 1  pika 1.5 dhe 1.8  të KPRK-së  e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Përveç kësaj, Biringiku akuzohet për kryerjen edhe të dy veprave të tjera penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 179  i KPRK-së dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 të KPRK-së.

Vepra penale “vrasja e rëndë”, dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, i akuzuari Maliq Biringjiku, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, më 18 maj 2018, ishte shpallur fajtor nën akuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për vrasjen e Valon Goxhulit dhe vrasjen në tentativë të dëmtuarit Arsim Fejza, ku ishtë dënuar me 21 vjet burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 18 tetor 2018, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Maliq Biringjiku, avokatit Ndrecë Dodaj, ashtu që çështjen penale në fjalë, e ka kthyer në rigjykim dhe vendim Gjykatës në Mitrovicë.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të të procedurës penale, duke kërkuar nga Gjykata Themelor e Mitrovicës, që në rigjykim ti nxjerrë edhe një herë të gjitha provat, të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes me ekspertët e mjekësisë ligjore dhe balistikës dhe të dëgjohen edhe një herë ekspertët të cilët kanë ekzaminuar gjenden e shëndetit mendor të të akuzuarit Maliq Biringjiku, lidhur me sqarimin e faktit se i akuzuari në momentin e kryerjes së veprës penale a i kuptuar veprimet e tija dhe a ka pasur çrregullim mendor.

Lidhur me rastin konkret, tashmë i ndjeri, Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Biringikut më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Sipas aktgjykimit të shpallur atëkohë, nga gjyqtari Burim Ademi,  vrasja e Bekim Biringjikut nga polici Valon Goxhuli, ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.