Pas kthimit në rigjykim Themelorja aprovon kërkesën e Komunës së Obiliqit për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Pas kthimit të rastit në rigjykim dhe rivendosje nga Apeli, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e  paditësit – Komunës së Obiliqit, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së, për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të nxjerr më 27 maj 2022, thuhet se pas shqyrtimit të kërkesës së palës paditëse për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi, gjykata ka vlerësuar se janë ofruar argumente të besueshme të cilat vërtetojnë se ekzekutimi i vendimit do të sillte dëm, i cili dëm vështirë do të riparohej.

Sipas këtij vendimi meqenëse funksionimi i rregullt i institucioneve shtetërore përbën interes të përgjithshëm, rrjedhimisht gjykata ka vlerësuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të atakuar deri në vendosjen lidhur me padinë e paditësit është interes publik e që shtyrja nuk do të sillte dëm të madh palës kundërshtare.

“Kjo shmang pasojat e mundeshe që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i kundërshtuar i të paditurës, në fund të procesit gjygjësore, rezulton se është marr në kundërshtim me ligjin”, thuhet në vendimin e themelores.

Andaj sipas vlerësimit të gjykatës, janë plotësuar kushtet nga neni 22 par.6 lidhur me par.2 të Ligjit për Konflikt Administrativ (LKA), për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar, deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.

Ndryshe, ZRrE-ja më 8 shkurt 2022 kishte vendosur që të aprovohen tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të furnizimit me shërbim universal, që do të mblidhen nga data 9 shkurt 2022 deri ën shqyrtimin e ardhshëm tarifor.

Lidhur me këtë rast, më 14 mars 2022 Komuna e Obiliqit ka parashtruar padi për anulimin e vendimit të ZRrE-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, si dhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimit deri në përfundim të procedurave gjyqësore.

Ndërsa më 28 mars 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditëses/propozueses Komuna e Obiliqit.

Ndaj këtij vendimi brenda afatit ligjor ka ushtruar ankesë i autorizuari i paditëses duke e kontestuar ligjshmërinë e te njëjtit, për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike me propozim që të aprovohet në tërësi ankesa dhe të anulohet vendimi dhe çështja të kthehet në vendosje.

Gjykata e Apelit më 13 maj 2022, e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, pasi ajo e kishte refuzuar kërkesën e paditëses propozueses Komuna e Obiliqit për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Ndryshe, Departamenti Administrativ më 28 mars 2022, kishte refuzuar si të pa bazuar kërkesën e Komunës së Obiliqit, derisa i njëjti Departament më 8 prill 2022, përkatësisht pas 11 ditëve kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e njëjtë që kishte pasur edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila edhe ishte aprovuar nga Apeli./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë