Pas kthimit në rigjykim përsëri dënohen me nga gjashtë muaj burgim të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor

Gjykata 5 (2)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Nëntor 20, 2020

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të premtën për herë të dytë ka shqiptuar dënim me nga gjashtë muaj burgim për të akuzuarit për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, Qëndrim Ibrahimi dhe Leotrim Rogova.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që të akuzuarit paraprakisht e kanë pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dënimin me burgim të akuzuarve do të ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 shtator 2019 deri me 13 dhjetor 2019.

Gjykatësi Rashkaj, të akuzuarit i ka liruar nga pagesat e shpenzimeve procedurale pasi që të njëjtit janë shfrytëzues të ndihmave sociale.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, më 28 tetor 2019, i kishte shpallur fajtor për lëndim të rëndë trupor, Qëndrim Ibrahimin dhe Leotrim Rogoven, dhe ata i kishte gjykuar me nga gjashtë  muaj burgim.

Por, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me arsyetimin se aktgjykimi i njëjtë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që është pranuar pranimi i fajësis për veprën penale lëndim i rëndë trupor pa e specifikuar se lëndimi i njëjtë ka shkaktuar zvoglim të përhershëm apo të përkoshëm të shëndetit.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 07 tetor 2019, Qëndrim Ibrahimi dhe Leotrim Rogova, akuzohen se me 14 shtator 2019 rreth orës 16:00, në vreshtat e “Stone Castle”, në fushën e quajtur “Izbisht” në Rahoveci, në bashkëkryerje dhe me dashje i shkaktojnë lëndime të rënda të dëmtuarit Mërgim Pruthi.

Sipas aktakuzë ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që pas një mosëmarrëveshje verbale që kishte i dëmtuari Pruthi me të akuzuarin Leotrim, rreth arkave të rrushit, aty ndërhynë i akuzuari Qëndrim dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grushta në fytyrë, ku nga goditja i dëmtuari rrëzohet në tokë.

Në aktakuzë thuhet se pasi që i dëmtuari ngritet përsëri sulmohet nga  i akuzuari Leotrim, duke e goditur me grushta dhe shqelma, ndërsa i akuzuari Qëndrim e godet me grushte dhe shqelma në pjesën e djathtë të barkut, me ç’rast i dëmtuari merrë lëndime të rënda trupore të vërtetuara në ekspertizën mjekoligjore të Dr. Musa Gashit. /BetimipërDrejtësi