Pas dy orë pritje, shtyhet seanca ndaj ish-policit, Veton Gashi për marrje të mitos, nuk ka gjykatës për ta plotësuar përbërjen e trupit gjykues

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Pritja për rreth dy orësh nuk mjaftoi që të plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, Afërdita Bytyçi.

Kryetarja e trupit gjykues, Syzana Qerkini, i njoftoi palët se seanca e procesit gjyqësor kundër Veton Gashit, i akuzuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”, është e pamundur që të mbahet, për shkak të pushimit mjekësor të anëtares së trupit gjykues Afërdita Bytyçi.

Qerkini tha se përpjekjet për të krijuar një përbërje të re të trupit gjykues me një anëtarë tjetër kishin dështuar, pasi asnjë gjykatës nuk kishte qenë i lirë.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë më 30 korrik 2012 kishte ngritur propozim akuzë ndaj Hydajet Krasniqit dhe Veton Gashit për marrje të mitos. Sipas aktakuzës, Krasniqi dhe Gashi, në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, një Njësinë e Trafikut Rajonal, më 18 qershor 2012 në magjistralen Prishtinë – Pejë, kanë kërkuar ryshfet në vlerë prej 300 eurosh, por nga i dëmtuari Flamur Haziraj kishin përfituar vetëm 100 euro. Sipas pretendimeve te Prokurorisë kjo mit-marrje ka qenë shkas i mos shqiptimit të tiketës ndëshkuese për Haziraj, pasi ky i fundit nuk i kishte respektuar rregullat e komunikacionit, duke kryer kundërvajtje.

Ndaj Hydajet Krasniqit është veçuar procedura penale, pasi i njëjti gjendet jashtë vendit dhe për gjykatën konsiderohet si i pakapshëm.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 13 tetor 2016, në ora 09:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë