Pas dështimit të tetë seancave, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kontrabandë me naftë në vlerë mbi 3 milionë euro

Gjykata3 (1)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Maj 6, 2021

Prishtinë –  Millan Bozhoviq i cili po akuzohet për krim të organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga tatimi dhe vepra të tjera penale, pas tetë seancave të dështuara, të enjten është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë çështje penale i akuzuar është edhe Zhelkjo Millashinoviq, por që ndaj të njëjtit është veçuar procedura penale, pasi që është i paarritshëm për gjykatën.

Gjithashtu i akuzuar ka qenë edhe D.B., mirëpo ndaj tij kishte pushuar procedura penale, për shkak se i njëjti rezulton se ka ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas njoftimit me të drejtat e tij nga gjykatësja Valbona Musliu – Selimaj, i akuzuari Bozhoviq nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.

Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprat që i ngarkohen, gjykatësja Selimaj e ka udhëzuar atë që brenda 30 ditësh, mund të paraqes kundërshtimet e tij për provat e përfshira  në aktakuzë dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Paraprakisht gjykatësja Selimaj ka njoftuar se në seancën e kaluar të akuzuarit Bozhoviq i ishte lexuar aktakuza, por që ai nuk ishte deklaruar rreth fajësisë pasi që mbrojtësi i tij, avokati Faruk Korenica kishte thënë se nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës.

Lidhur me të akuzuarin Zheljko Millashinoviq, gjykatësja Selimaj ka njoftuar se meqenëse i njëjti gjendet në shtetin e Serbisë, do t’i lëshohet edhe një herë ftesë përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 1 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, me të cilën po i akuzon se në periudhën kohore nga 22 maji 2009 deri më 14 korrik 2011, me dashje dhe dijeni dhe me qëllim që si grup të kryejnë vepra kriminale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, e kanë shfrytëzuar mungesën e doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 përkatësisht në Leposaviq dhe Zubin Potok, e duke qenë se doganierët e EULEX-it vetëm kanë regjistruar mallin, por zhdoganimi është bërë në pjesën jugore të Mitrovicës, kjo gjë, sipas akuzës ju ka krijuar kushte të përshtatshme të akuzuarve për kontrabandë me mallra, shmangie doganore dhe tatimore.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq, si pronar të regjistruar të kompanisë “P.P MIN PROM” dhe Zhelkjo Millashinoviq si vozitës i mauneve të kësaj kompanie, kanë blerë karburante në Serbi dhe të njëjtat i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanisë së lartcekur, e cila nuk posedon licencë për import të karburanteve.

Karburantin e blerë, sipas PSRK-së, të akuzuarit nuk e kanë zhdoganuar, por e kanë dërguar direkt në pompat e benzinës në veriun e Kosovës dhe duke qenë se nuk kanë paguar tatim, kjo sasi e karburantit ishte shitur me çmim më të lirë, se sa ai i tregut.

Vlera e përgjithshme që të akuzuarit po akuzohen se e kanë futur nga Serbia në Kosovë kap shifrën e 3,035,911.36 euro, ndërsa dëmi që i është shkaktuar Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke iu shmangur akcizës arrin shumën 1,243,348.59 euro, pastaj llojit të tatimit në emër të TVSH-së, në shumë prej 684,681.60 euro, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92,705.43 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81 euro.

Me këto veprime të tyre, tre të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale, të krimit të organizuar lidhur me veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga tatimi dhe shmangia nga akciza dhe detyrimet e importit. /BetimipërDrejtësi