Pas dështimit në herën e parë, nesër tentimi i dytë për fillimin e gjykimit në rastin “Veteranët”

Veteranet-620x275
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Mars 13, 2019

Prishtinë – Pas dështimit në herën e parë, të enjten, do të jetë tentimi i dytë për fillimin e gjykimit në rastin e njohur si “Veteranët”, në të cilin ish-kryeministri Agim Çeku, ministri aktual i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Seanca në këtë rast është caktuar të mbahet të enjten, me fillim nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në herën e parë, kishte dështuar të mbahej seanca fillestare, që ishte caktuar për 28 janar të këtij viti, pasi në sallën e gjykimit nuk ishte paraqitur ministri aktual i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, si dhe e dy të akuzuarit tjerë, Faik Fazliu dhe Smajl Elezaj.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kukaj – Mekaj, i akuzuari Berisha kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Kurse, për të akuzuarin Fazliu, kishte thënë se ai e kishte njoftuar gjykatën se është në një trajtim shëndetësor në Shqipëri, derisa sipas saj, i akuzuari Elezaj, nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Për shkak të mungesës së të akuzuarve, gjykatësja Kuka-Mekaj, kishte vendosur që tentimi i dytë për mbajtjen e seancës fillestare të caktohet më 14 mars 2019.

PSRK-ja, në aktakuzën në të cilën për akuza për korrupsion ka akuzuar Agim Çekun, Rrustem Berishën, Shkumbin Demalijajn, Nuredin Lushtakun dhe shtatë persona të tjerë, i kishte propozuar kësaj gjykate që të caktojë masë të përkohshme për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtar të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Ndryshe, PSRK-ja aktakuzën të cilën e kishte hetuar prokurori special Elez Blakaj, që kishte ofruar dorëheqjen nga pozita e prokurorit, e kishte dorëzuar në gjykatë 14 shtator 2018, por e nënshkruar nga prokurori Afrim Shefkiu.

E njëjta aktakuzë ishte kthyer në plotësim dhe përmirësim nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, pasi sipas saj, kjo aktakuzë nuk ishte formuluar sipas ligjit.

Pasi ishte kthyer prapa, PSRK-së i ishin dhënë 30 ditë që të bëjë përmirësimin e kësaj aktakuze, por kjo gjë nuk kishte arritur të ndodhte, pasi PSRK-ja kishte kërkuar nga gjykata edhe 30 ditë të tjera afat, për të bërë përmirësimin e aktakuzës, sipas vërejtjeve të gjykatës.

PSRK-ja, këtë aktakuzë e kishte dorëzuar në gjykatë për herën e dytë, në versionin e përmirësuar më 7 dhjetor 2018.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së prokurorit tani të dorëhequr, Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohët se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.