Pas ankesës së IKD, FOL dhe GLPS, Këshilli Prokurorial detyrohet të ofrojë qasje në poentimin e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Edhe pse dosjet e poentimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit janë dokumente publike, të cilat nuk përbëjnë të dhëna konfidenciale, të njëjtat kanë qenë të paqasshme për publikun. Por, pas ankesës së koalicionit të Organizatave Joqeveritare, Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizjes FOL, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e ka detyruar Këshillin Prokurorial, që t’iu ofrojë të njëjtave qasje në këtë poentim.

Fillimisht, koalicioni i OJQ-ve, më 4 prill 2022 kishte dërguar një kërkesë për qasje në dokumente publike në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ku nga ky i fundit kishin kërkuar qasje në poentimin përfundimtar dhe individual nga të gjithë anëtarët e Panelit Vlerësues të anonimizuar  së bashku me arsyetimin për secilin kandidat për Kryeprokuror të Shtetit dhe për secilin kategori poentuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, KPK nuk kishte kthyer përgjigje në kërkesën e parashtruar nga ky koalicion i OJQ-ve, lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë mënyrë, IKD, GLPS dhe FOL, më 12 prill 2022 kishin ushtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), për heshtje në kërkesën për qasje në dokumente publike në Këshillin Prokurorial të Kosovës, më 4 prill 2022.

Pas kësaj ankese, AIP më 6 qershor 2022 ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e koalicionit të OJQ-ve dhe e ka detyruar Këshillin Prokurorial të Kosovës, që t’i ofrojë qasje parashtruesit të kërkesës në dokumentet e kërkuara.

Sipas vendimit të AIP-së, është aprovuar ankesa e Koalicionit dhe KPK është detyruar të ofrojë qasje në dokumentet publike të kërkuara lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e z. Lavdim Makshana, ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës. Obligohet Këshilli Prokurorial i Kosovës që në afat prej 7 ditëve nga data e pranimit të këtij vendimi, ti ofrojë qasje të plotë në dokumentet publike si më poshtë:

  • Poentimin përfundimtar nga të gjithë anëtarët e Panelit Vlerësues të anonimizuar për secilin kandidat për Kryeprokuror te Shtetit?
  • Poentimin individual të anonimizuar të dhënë nga secili anëtarë i Panelit Vlerësues bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese?”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit të AIP-së thuhet se e njëjta, më 16 maj 2022 ka adresuar një shkresë njoftuese në KPK, përmes të cilës i ka sqaruar kësaj të fundit se në dokumentet e kërkuara nga parashtruesi i kërkesës duhet të lejohet qasja, pasi janë dokumente publike.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj shkrese njoftuese të dërguar nga AIP në KPK, kjo e fundit nuk ishte përgjigjur dhe me kalimin e afatit ligjor, andaj AIP ka nxjerrë vendimin që t’i ofrojë qasje të plotë palës ankuese.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë kur ankesat e IKD-së në AIP janë aprovuar.

IKD në nëntor të vitit 2021 kishte kërkuar informata për statistikat lidhur takimet e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve dhe Vendimet e Këshillit Drejtues të OAK-së, por që OAK ishte përgjigjur vetëm pjesërisht në këtë kërkesë.

Pas ankesës së IKD-së në AIP, kjo e fundit ka gjobitur OAK-në me 3 mijë euro, pasi që e njëjta nuk ofroi qasje në procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit Drejtues të saj.

Po ashtu, IKD më 14 janar 2022 kishte dërguar një kërkesë për qasje në dokumente publike në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar qasje në 7 vendime të kësaj Prokurorie, ku përfshiheshin vendime të hudhjes së kallëzimeve penale dhe të pushimit të hetimeve, të rasteve të korrupsionit.

Në këtë kërkesë, Prokuroria nuk kishte kthyer përgjigje dhe IKD e kishte rikujtuar atë më 21 janar, por përsëri nuk kishte pranuar përgjigje. Në këtë mënyrë, IKD më 31 janar 2022 kishte ushtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) për heshtje në kërkesën për qasje në dokumente publike në Prokurorinë e Prishtinës më 14 janar 2022.

Pas kësaj ankese, AIP më 6 prill 2022 ka marrë vendim me të cilin ka bazuar ankesën e IKD-së dhe ka detyruar Prokurorinë Themelore në Prishtinë që t’i ofrojë qasje IKD-së në dokumentet e kërkuara.

Ndryshe, KPK në mbledhjen e 214-të, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo zgjedhje e Kelmendit ishte bërë pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatëvjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.

Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.

Ndërsa, gjatë të enjtes së kaluar, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me shtatë vota kundër, një për dhe tre abstenime, më 6 prill 2022 kishte vendosur që të mos e aprovojë raportin me rekomandime të aprovuara pjesërisht nga Komisioni Rishqyrtues.

Një vendim i tillë, kishte ardhur pasi Komisioni Rishqyrtues i ka propozuar Këshillit që të aprovojë raportin e tyre me të cilin kishin aprovuar pjesërisht kundërshtimet për poentim të pasaktë të katër kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konkretisht, ishin refuzuar kundërshtimet e kandidatëve Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Për këto kundërshtime, Komisioni Rishqyrtues kishte gjetur se kundërshtimet e këtyre kandidatëve janë të bazuara pjesërisht vetëm për disa kategori të poentimit, pra për bazën poentim i pasaktë, mirëpo një rekomandim i tillë nuk ishte aprovuar nga KPK. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë