Pas 4 vite gjykimi, prokurori Feti Tunuzliu tërhiqet nga aktakuza ndaj policit të akuzuar për 50 euro ryshfet

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Prokurori Feti Tunuzliu në fjalën përfundimtare deklaroi se me provat e administruara nga shqyrtimet gjyqësore, nuk është vërtetuar se i akuzuari Agim Vershevci ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”. Sipas tij ky fakt është vërtetuar me marrje në pyetje të dëshmitarit Islam Cekës i cili ka mohuar ta ketë parë të akuzuarin duke marrë 50 euro nga i akuzuari tjetër Shkëmbin Blakaj për të cilin është parashkruar vepra penale. Përndryshe Tunuzliu tha se as gjykata nuk mund ta shpallë fajtor Vershevcin dhe të gjykoj atë duke u mbështetur vetëm në një provë materiale.

Prokuroria e atëhershme Komunale në Prishtinë ka akuzuar Vershevcin se ka marrë ryshfet nga Blakaj, në vlerë prej 50 euro në cilësinë e policit. Sipas propozim akuzës në gusht të vitit 2011, Vershevci supozohej se në një pikë kontrolli në fshatin Shtedin të  Komunës së Podujevës kishte ndaluar veturën e Blakajt, me arsyetimin se kishte tejkaluar shpejtësinë dhe nga ai ka marrë 50 euro ryshfet. Këtë veprim ai e kishte arsyetuar se gjoja po e falte, pa lëshuar asnjë dokument për marren e të hollave. Në këtë akuzë ishte i përfshirë edhe qytetari Shkumbin Blakaj për veprën penale dhënie ryshfeti. Sipas gjykatës, zvarritja e këtij procesi dhe parashkrimi i veprës penale ndaj të akuzuarit Blakaj ndodhi si pasojë e mungesës së të njëjtit i cili ndodhej në Austri.

Edhe pse propozim akuza është përpiluar në nëntor të vitit 2011, prokuroria ende nuk kishte arritur të bënte precizimin e saj.  Në propozim akuzën e Prokurorisë së atëhershme Komunale në Prishtinë, nuk figuronte neni i veprës penale për të cilën ngarkohej i akuzuari Vershevci.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë