Pas 4 vite gjykimi, prokurori Arben Kadriu tërhiqet nga aktakuza ndaj rojës së pyllit
Raporton:Syzana REXHEPI
Gjilan – Prokurori Arben Kadriu në fjalën përfundimtare deklaroi se me provat e administruara nga shqyrtimet gjyqësore nuk është vërtetuar se i akuzuari Sabri Miftari e ka kryer veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit “. Sipas tij ky fakt është vërtetuar me marrje në pyetje të dëshmitarëve Mejdi Berishës dhe Selman Selmanit. Përndryshe Kadriu tha se ishte e pamundur që një zonë e pyllit prej 2000 h të kontrollohet vetëm nga një person.
Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku Sabri Miftari, akuzohet se nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si roje e pyllit, ashtu që në sipërfaqen e pyllit – Njësia Menaxhuese Kopilaqë, tereni Letnicë dhe Stanqiq më 4 mars 2013, nga Agjencioni Pyjor i Kosovës është konstatuar dëmi i përgjithshëm prej 839.32 m³, nga të cilat të pa arsyetuara me fletëparaqitje kanë qenë 325.61 m³, edhe pse ka qenë i obliguar që këto dëme t’i raportoj në Njësinë e AKP-së në Viti, dhe me këto veprime u ka mundësuar përfitim material prerësve ilegal të pyllit.