PAS 15 VITESH, PËR SHKAK TË PARASHKRIMIT TË LËNDËS, SHPALLEN TË PAFAJSHËM TË AKUZUARIT PËR PËRVETËSIM DETYRE

Raporton: Diana BERISHA

Vushtrri – Vojislav Mihajloviq dhe Ljuban Milosavljeviq të cilët akuzoheshin për përvetësim të detyrës zyrtare në vitin 2001, të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, janë shpallur të pafajshëm për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të veprës penale.

Kryetari i trupit gjykues Burim Ademi tha se meqenëse kjo vepër penale është kryer në vitin 2001, gjykata detyrimisht ka aplikuar dispozitat e ligjit të ri, i cili është më i favorshëm për të pandehurin.

Kryetari Ademi bëri të ditur se pas aplikimit të këtij ligji është konstatuar se vepra ka arritur parashkrimin absolut.

Aktakuza e vitit 2001, ngarkonte të pandehurit Vojislav Mihajloviq, mbikëqyrës i Komunës së Leposaviqit dhe Ljuban Milosavljeviq, pronar i firmës “Evropa” se kishin përvetësuar para të gatshme nga Komuna e Leposaviqit. Sipas prokurorisë të pandehurit e lartë përmendur kishin lidhur kontratë për vendosjen e 201 shenjave të komunikacionit në Leposaviq, për shumën totale 14.480 markave gjermane (DM).

Tutje prokuroria ka pretenduar se të njëjtit kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke i vendosur vetëm 20 shenja të komunikacionit në vlerë prej 2.838 DM, në atë mënyrë që kanë përvetësuar për vete shumën prej 11.641.92 DM, apo tani 5,925.51 euro.

Në raport me të pandehurin Vojsllav Mihajlojvic, gjykata konstatoi se ekzistojnë të gjitha veprimet që përbëjnë figurën e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Por, në këtë rast më nuk mund të ndërmerret asnjë veprim ligjor për shkak të arritjes së parashktimit absolut.

Në fund Kryetari Ademi theksoi se këtë aktgjykim do ta procedoj tek palët, ku më pas të njëjtit kanë të drejtë për ankesë në Gjykatë të Apelit.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë