Pas 14 vite proces gjyqësor, aprovohet kërkesëpadia e Shoqatës së të Verbërve në Istog për shfrytëzimin e sërishëm të pronës së tyre

Vendim
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Qershor 26, 2020

Pejë – Pas më shumë se një dekade proces gjyqësor, Shoqata Komunale e të Verbërve në Istog e ka fituar procesin gjyqësor në shkallë të parë, ndaj të paditurit Sadri Nicaj.

14 vite më parë, Shoqata Komunale e të Verbërve në Istog kishte nisur betejën ligjore përmes ushtrimit të padisë në ish-Gjykatën Komunale të Isogut, ndaj të paditurës, tani të ndjerës Have Nicaj, duke kërkuar lirimin e hapësirës dy dhomëshe, të cilën sipas paditëses e paditura e kishte uzupruar.

Sipas pretendimeve të Shoqatës, shtëpia në të cilën po kërkohet lirimi i saj është në funksion të pushimores së personave të verbër, e që sipas tyre është uzurpuar nga e paditura, tani e ndjera Have Nicaj, ndërsa pas vdekjes së saj këtë shtëpi e kishte marrë vëllai i saj, tashmë i padituri Sadri Nicaj.

Me prishje të shumta të vendimeve gjyqësore, kundërthënie mes gjykatave të instancave të larta e shkelje procedurale ishte karakterizuar ky proces kontestimor.

E pas 14 vitesh, Gjykata Themelore në Pejë, përmes gjykatësit Ilir Berisha, ka aprovuar kërkesëpadinë e Shoqatës së të Verbërve për shfrytëzimin e serishëm të pronës së tyre, për të cilën pretendonin se ishte uzurpuar nga i padituri Sadri Nicaj.

Përmes aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Pejës e ka aprovuar tërësisht kërkesëpadinë e Shoqatës Komunale të Verbërve në Istog dhe e ka detyruar të paditurin Sadri Nicaj ta lirojë katin e dytë të shtëpisë së Shoqatës.

Në aktgjykim thuhet se Gjykata Themelore në Pejë ka vërtetuar se Shoqata Komunale e të Verbërve në Istog e ka të drejtën e pronësisë në shtëpinë në sipërfaqe 85m2 dhe oborr prej 415 m2, ndërsa kati i dytë i kësaj shtëpie kishte qenë në posedim të paditurit pa bazë ligjore, të cili pjesë ky i fundit thuhet se kishte lëshuar me qera për shumën prej 100 euro.

Sipas shkallës së parë, i padituri Sadri Nicaj nuk mund të ishte bartës dhe trashëgues i të drejtës së shfrytëzimit të katit të dytë të shtëpisë, pasi e ndjera Have Nicaj e kishte lënë një vajzë, e cila hyn si trashëgimtare e rendit të parë ligjor.

Sipas gjykatës, edhe pse e ndjera Have Nicaj kishte pasur një vendim të datës 1 shtator 1984, të lëshuar nga Konferenca Komunale e Lidhjes së të Verbërve në Istog, përmes së cili i ishte lejuar punëtores Have Nicaj që ta shfrytëzojë një pjesë të shtëpisë, e njëjta asnjëherë nuk kishte lidhur kontratë me Bashkësinë e Vetëqeverisjes së Interesit të Banesave në Istog (BVI).

“Mungon kontrata e cila është kusht esencial për fitimin e të drejtës së banimit të paraparë me dispozitat e Ligjit mbi marrëdhëniet Banesore (Gazeta Zyrtare e KASK nr.11 e datës 28.03.1983). Kushtet e domosdoshme të cilat duhet të përmbushen në mënyrë kumulative janë: Akti i përgjithshëm vetëqeverisës mbi dhënien e banesës në shfrytëzim, neni 32, Kontrata mbi shfrytëzimin e banesës e lidhur mes personit i cili e merr banesën në shfrytëzim dhe Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit për Banim neni 37 dhe vendosja e ligjshme e qytetarit në banesë neni 11. Andaj, në mungesë të kontratës në mes të Have Nicaj dhe Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit për Banim në Istog, rrjedh se edhe vendosja e shfrytëzueses Have Nicaj në banesë përkatësisht në katin e epërm të pushimores, nuk ka qenë i ligjshëm”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Tutje sipas shkallës së parë, edhe po të ekzistonte një kontratë e tillë, i padituri Sadri Nicaj (vëllai i të ndjerës Have) nuk do të mund të konsiderohej si bartës i të drejtës së shfrytëzimit,  pasi i padituri nuk hynte në kategorinë e anëtarit të familjes që sipas ligjit do ta gëzonte të drejtën banesore.

“Poashtu i padituri nuk mund të thirret në të drejtën e pronësisë në bazë të trashëgimisë për një të drejtë të cilën as vetë Have Nicaj nuk e kishte. Pra, asaj asnjëherë nuk i është bartur e drejta e pronësisë në pjesën e patundshmërisë objekt kontesti, në mënyre që trashëgimtarët e saj të trashëgonin “, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Gjykata e ka konsideruar të pabazuar pretendimin e të autorizuarit të paditurit se të drejtën e pronësisë në atë shtëpi e kishte fituar përmes parashkrimit fitues, pasi sipas gjykatës në pronën shoqërore nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë me parashkrim fitues, e aq me tepër, argumenton gjykata, se i padituri e ka posedimin katin e dytë me keqbesim dhe të kundërligjshëm.

Sipas gjykatës, i njëjti duke e ditur se shtëpia objekt kontesti është pronë shoqërore, kishte lidhur kontratë me përfaqësuesin e një subjekti të tretë dhe atë Shoqatën e të Verbërve me të Parë të Dobësuar të Kosovës, Bujar Kadriu, për ndërrimin e shtëpisë objekt kontesti me paluajtshmëri tjetër.

Pikërisht për këtë kontratë të lidhur, i dënuari Bujar Kadriu ishte gjykuar me aktgjykim të formës së prerë me gjashtë muaj burim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas këtij aktgjykimi, i dënuari Kadriu kishte hyrë në kontratë për ndërrim të shtëpisë me qëllim të përftimit të kundërligjshëm për tani të paditurin Sadri Nica, ku vlera e pronës së ndërruar ishte 11 mijë e 739.50 euro më e ulët sesa shtëpia objekt kontesti.

Historiku procedural i çështjes:

Tashmë ish-Gjykata Komunale në Istog, më 19 qershor 2006, e kishte hedhur poshtë padinë e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, dega në Istog, për shkak se kishte vlerësuar se ishte çështje e gjykuar.

Tashmë ish-Gjykata e Qarkut e kishte cilësuar si të paligjshëm dhe me shkelje të procedurës kontestimore vendimin e Gjykatës së Istogut, për cka dhe e kishte anuluar atë më 5 shkurt 2007.

Sipas Gjykatës së Qarkut, gjykata e shkallës së parë kishte gabuar kur kishte konstatuar se rasti kontestimor i Shoqatës së të Verbërve ishte i gjykuar, për faktin se në vitin 2003 kishte ushtruar padi Unioni i të Verbërve të Kosovës kundër Shoqatës Komunale të Verbërve në Istog dhe atë mbi bazën ligjore të pengim posedimit, kurse sipas Qarkut, tani rasti ndërmjet Shoqatës të Verbërve kundër tani të ndjerës Have Nicajt nuk përkon me kontestin e mëparshëm mes Unionit dhe Shoqatës Verbërve.

Pasi çështja kontestimore ishte kthyer në rivendosje, më 11 mars 2008, Gjykata e Qarkut kishte aprovuar pjesërisht padinë e Shoqatës së të Verbërve, duke vërtetuar se janë pronarë të paluajtshmërisë, ngastrës ngadastrale 4/82 me kulturë shtëpi dhe oborr me sipërfaqe prej 0.5 hektar, mirëpo kishte refuzuar kërkesën që e paditura Have Nicaj t’ua lirojë katin e dytë të shtëpisë në të cilën si pronare evidentohet Shoqata e të Verbërve.

Në arsyetimin e këtij vendimi gjykata kishte thënë se ishte vërtetuar se Shoqata e të Verbërve në Istog kishte fituar pronësinë nga BVI në patundëshmëri lëndore, mirëpo sipas kësaj gjykate poashtu ishte vërtetuar se Lidhja e të Verbërve –Konferenca e Kosovës me vendim i kishte dhënë në shfrytëzim banesën dy dhomëshe me sipërfaqe 79m2 tani të paditurës Nicaj në ngastrën kontestuese.

Sipas kësaj, Gjykata Komunale në Istog kishte vendosur se paditura e ka të drejtën e banimit në banesën dy dhomëshe në bazë të vendimit  Lidhjes e të Verbërve –Konferencës së Kosovës.

Tutje sipas gjykatës, nuk ishte vërtetuar se paditura Nicaj ishte vendosur në banesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme, edhe pse sipas gjykatës e paditura Nicaj pas vendimit për shfrytëzim të banesës nuk kishte lidhë kontratë për shfrytëzimin e banesës  me BVI, e kjo sipas thuhet se nuk është bërë me fajin e të paditurës.

Ky vendim përsëri ishte prishur nga Gjykata e Qarkut më 21 maj 2009, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo gjykatë kishte arsyetuar se aktgjykimi i Gjykatës Komunale nuk ishte i drejtë dhe i ligjshëm, për shkak se paditëses iu është njohur e drejta e pronësisë, mirëpo përkundër kësaj është refuzuar që e njëjta t’i dorëzohet në posedim.

Kjo Gjykatë poashtu kishte kërkuar që në rigjykim të vlerësojë nëse e paditura Nicaj kishte bazë të vlefshme juridike për shfrytëzimin  e banesës, respektivisht aktvendimi për ndarje të banesave a ishte një punë juridike e vlefshme për fitimin e të drejtës së pronësisë, duke u bazuar në faktin se e paditura nuk ka lidhur kontratë për shfrytëzim të banesës me BVI për banim.

Ndërsa përsëri Gjykata Komunalë në Istog, më 27 tetor 2011, kishte hudhur padinë e Shoqatës së të Verbërve si të palejuar, duke arsyetuar se ishte çështje e gjykuar.

Ankesë kundër këtij aktvendimi kishte ushtruar paditësja, e cila kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ta anulojë vendimin për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore.

Duke vepruar në bazë të kësaj ankesë, Gjykata e Qarkut kishte refuzuar ankesën e Shoqatës së të Verbërve si të pabazuar dhe kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Komunale në Istog.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se në Gjykatën komunale në Istog, fillimisht është zhvilluar procedura kontestimore nga Unioni i të verbërve të Kosovës kundër të paditurës Have Nicaj, ku gjykata në mënyrë meritore me aktgjykim ka refuzuar kërkesëpadinë e paditëses Unioni i të Verbërve të Kosovës me të cilën ka kërkuar që e paditura ta liroj objektin dhe t’ia dorëzoj objektin në shfrytëzim të papenguar “, thuhej në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut.

Sipas kësaj gjykate, çështja e gjykuar ishte e vërtetuar nga aktvendimet e mëparshme të cilat më parë ishin prishur nga vet Gjykata e Qarkut.

Mirëpo arsyetimi i Gjykatës së Qarkut nuk ishte mbështetur nga ana e Gjykatës Supreme, e cila më 24 dhjetor 2013 kishte aprovuar revizionin e paditëses dhe kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut.

Supremja kishte vlerësuar se vendimi mbështetur në aktvendime jo të plotfuqishme dhe si tilla cilësohen inekzistente.

Sipas Gjykatës Supreme, aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë, me të cilën ishte hedhur padia e Shoqatës të Verbërve në Istog me arsyetimin se është çështje e gjykuar me herët dhe atë me aktgjykimin e plotfuqishëm C.nr.87/07 të datës 5 maj 2004, është i pabazuar.

Supremja kishte velrësuar se aktgjykimi me të cilin ishin thirrur Gjykata Komunale dhe e Qarkut, se çështja është e gjykuar, nuk ekziston në shkresat e lëndës.

“Në gjykatën e shkallës së parë është lexuar aktgjykimi C.nr.87/03, i njëjti nuk ekziston në shkresat e lëndës për të parë se vërtetë e kemi të bëjmë me një çështje të gjykuar apo jo. Sa i përket aktvendimit të shkallës së dytë, arsyetimi i tij bazohet në atë kinse me aktvendimin C.nr.3/06 është hedhur poshtë padia e paditëses si çështje e gjykuar mirëpo një arsyetim i tillë nuk mund të qëndrojë ngase i njëjti vendim është prishur nga Gjykata e Qarkut në Pejë. Edhe aktgjykimi tjetër C.nr.33/07 me të cilin thirret aktvendimi i shkallës së dytë është  prishur me aktvendimin e se njëjtës gjykatë”, thuhej në vendimin e Supremes.

Pasi rasti ishte kthyer në rigjykimin, Gjykata Komunale në Istog përsëri kishte vendosur që ta hudh padinë e paditëses si të palejuar, pasi thuhet se për këtë çështje ishte vendosur me vendim të formës së prerë nga kjo gjykatë.

“Janë siguruar shkresat e lëndës të kësaj gjykatë C.nr.87/03 dhe pas shikimit të kësaj lëndë, aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm me datë 14 qershor 2006 për të njëjtën çështje në mes të njëjtave palë është zhvilluar kontesti dhe përfunduar me aktgjykim të plotfuqishëm”, theksohej në aktvendimin e Gjykatës Komunale në Istog.

Pas këtij vendimi, tashmë i pesti me radhë, kjo çështje kontestimore ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Pejë, me kërkesën e Shoqatës Komunale të të Verbërve.

Pas vendimit të Gjykatës në Pejë, tashmë pala e paditur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi