Parashkruhet lënda edhe ndaj të akuzuarit tjetër për korrupsion të përfshirë në rastin “Ferronikeli”

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 26, 2021

Prishtinë – Ka arritur parashkrimi absolut edhe ndaj Nebih Zeqirit, të akuzuarit tjetër të përfshirë në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave, të njohur si rasti “Ferronikeli”, ku akuzohej edhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe tetë persona të tjerë.

Nebih Zeqiri akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërkaq për të, në rigjykimin e dytë procedura ishte veçuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ditën e hënë ishte paraparë të mbahej seanca ndaj të njëjtit, mirëpo gjyqtarja Fatime Dermaku, ka bërë të ditur se seanca nuk do te mbahet dhe se pala është njoftuar lidhur me këtë, e kjo për arsye se në këtë lëndë ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale.

Kjo lëndë më herët ishte gjykuar nga gjyqtari Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit, lënda i ishte trashëguar gjyqtares Dermaku.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 13 shkurt 2017 kishte ngritur aktakuzë me të cilën i ngarkonte ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqirin – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Sipas aktakuzës, Buja akuzohej se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, kishte nxjerrë vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm, për eksproprijimin e patundshmërive në Medvec dhe Magure, me gjithsej sipërfaqe 76.30.37 ha, edhe pse për eksproprijimin për eksploatim ka qenë kompetent niveli qendror.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës  iu ka drejtuar “New Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohej se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “New Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “New Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, prokuroria pretendonte se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “New Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohej për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohej se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu, Retkoceri akuzohej se të akuzuarit Buja ia kishte riparuar një automjet të tipit “Mercedes ML”, i cili kishte qenë pronë e Komunës së Lipjanit. Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Retkoceri e kishte bërë për të ndikuar tek inspektorët komunal që të mos ia ndërprenë punimet në objektin e nisur.

E për veprimin e lartcekur, prokuroria e ngarkonte edhe Bujën pasi sipas aktakuzës, me dashje ka ndikuar tek zyrtarët tjerë komunal që të mos e pengojnë Retkocerin në ndërtimin e objektit kolektiv-banesor.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzoheshin për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendonte se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohej për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për të gjitha këto veprime, PSRK e ngarkonte Bujën me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzoheshin edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Bajram Rizani.

Hasim Viseshella akuzohej për veprën penale “Marrje e ryshtetit”, kurse i akuzuari Fahri Retkoceri akuzohej për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Lidhur me këtë akuzë, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohej se i ka kryer veprat penale.

Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

Në rigjykim, Apeli e kishte udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kishte është dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Ky dënim i shqiptuar ndaj tij, kishte ardhur pas rigjykimit dhe pasi që në gjykimin e parë, Buja ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar ishin shpallur edhe zyrtarët tjerë komunal, Bajram Rizani, Halit Gashi, Edmond Rexhepi, kurse për marrje ryshfeti, fajtor ishte shpallur Hasim Viseshella.

Të akuzuarit Rizani, Gashi dhe Rexhepi ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim, mirëpo, ky dënim, me pëlqimin e tyre është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro.

Kurse, i akuzuari Viseshella ishte dënuar me pesë muaj burgim. Edhe për këtë të akuzuar,  dënimin me burg ishte zëvendësuar në dënim në gjobë, në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku, Driton Avdiu dhe Burim Kodra ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në mungesë të provave.

Ndaj Bujës, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim refuzues për pesë pika të akuzës, ku ngarkohej me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit.

Edhe ndaj të akuzuarit Fahri Retkoceri, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe punimeve ndërtimore të kundërligjshme. Kjo, sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka ardhur pasi që veprat penale janë parashkruar.

Gjykata ka detyruar të akuzuarin Buja, që të kompensojë Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në lartësi prej 79,155.00 euro, kurse për kërkesat tjera pasurore-juridike, Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit i ka udhëzuar në kontest civil.

Sa i përket propozimit për anulimin e vendimeve të cekura në aktakuzë, gjykata ka vendosur që të njëjtat janë jo-lëndore pasi janë nxjerrë në procedura administrative.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Nebih Zeqiri, mirëpo për shkaqe shëndetësore, gjykata kishte veçuar procedurën për të.

E nga dy vite sa ishte dënuar nga shkalla e parë, Apeli i kishte shqiptuar Shukri Bujës dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, Bujës i ishte shqiptuar edhe dënim plotësues “ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”.

Kurse, për pikat tjera të aktakuzës për të cilat ishin dënuar Buja dhe të akuzuarit Halit Gashi dhe Bajram Rizani, Apeli kishte nxjerr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu, aktgjykim refuzues ishte marr edhe për të akuzuarën Magbule Sadiku e cila ishte liraur nga akuzat nga shkalla e parë.

Ndërsa për të akuzuarit, Hasim Vishesella dhe Edmond Rexhepi, Apelit e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë e cila të njëjtit i kishte dënuar për korrupsion dhe lëndën ndaj tyre e ka kthyer në rigjykim. Për pjesët tjera të aktgjykimit, Apeli e kishte lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërkaq, përmes një komunikate për media, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës kishte bërë të ditur se e ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja.

“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit Sh.B., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 442 par.1 të KPRK-së, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësit e të dënuarit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, në seancën e kolegjit të mbajtur më 17 mars 2021, vendosi që të miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarit Sh.B.. Me aktgjykimin PML 60/2021, Kolegji i Gjykatës Supreme ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.206/2019 të datës 21.09.2020 dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës –Departamenti Special APS.nr.33/2020 të datës 15.12.2020 në pjesën dënuese, përkitazi me këtë të dënuar dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së dytë në rigjykim”, thuhej në këtë vendim.

Ndërkaq, më pas me 12 prill 2021, Gjykata e Apelit kishte gjetur se për atë pikë të aktgjykimit të ankimuar ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale dhe atë para se të merr vendim Gjykata Supreme.

“Andaj duhet të veprohet në kuptim të nenit 363 par. 1 nën par. 1.3 të KPPRK-së. Për këtë arsye Gjykata e Apelit nuk caktoj seancën publike. Sipas përshkrimit të gjendjes faktike në pikën I.4 të aktgjykimit të ankimuar (pika I.5 e aktakuzës) rrjedhë se i akuzuari Shukri Buja akuzohej për lëshimin e urdhëresës për regjistrimin dhe bartjen e pronës me numër 01 nr.400-465/2011 të datës 07.03.2011. Pra, për këtë veprim është akuzuarit i akuzuari, i cili veprim ka qenë me datë 07.03.2011”, thuhej në vendim të Apelit. /BetimipërDrejtësi