Paraqiten fjalët përfundimtare të palëve, prokurori bën ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë në tentativë” në “Vrasje në tentativë”

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të akuzuarve Ferat, Betim dhe Lirim Mustafa, të akuzuar se në vitin e kaluar në Vushtrri rrahën me mjete të rënda të dëmtuarin Remzi Hasani, u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa prokurori i rastit Naim Beka bëri ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë në tentativë” në “Vrasje në tentativë”.

Të akuzuarit u njoftuan se me ricilësimin e veprës penale nga prokurori në “Vrasje në tentativë”, sipas KPRK-së mund të dënohen me më së paku 5 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse të akuzuarit shfrytëzuan të drejtën e tyre ligjore të mbrojtjes në heshtje, procedura vijoi me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga palët.

Prokurori Naim Beka në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se pas administrimit të provave, analizimit të dëshmive dhe dëgjimit të dëshmitarëve gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor si dhe krahasimit të rastit konkret me rastet e përafërta nga praktika gjyqësore, shtoi se në rastin konkret kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes në tentativë, andaj nga ky këndvështrim bëri ricilësimin nga vepra penale “Vrasje e rëndë në tentativë” si në aktakuzë, në veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Ai shtoi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nga dëgjimi i dëshmitarit-të dëmtuarit Remzi Hasani, dëshmitarit Veton Plakolli, nga ekspertiza mjeko-ligjore, vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve, foto-dokumentacioni dhe sidomos nga përmbajtja e video incizimeve, ku në mënyrë të qartë shihen veprimet inkriminuese të manifestuara nga të akuzuarit, është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.

“Nuk është kontestuese që të tre të akuzaurit në bashkëkryerje e pas marrëveshjes paraprake, e kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, prandaj i propozoj gjykatës t’i shpallë fajtorë sipas ligjit, e në rastin e shqiptimit të dënimit të kihen parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, shtoi tutje prokurori.

Tutje, përfaqësuesi i të dëmtuarit Remzi Hasani, avokati Gani Rexha në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësore është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve ekzistojnë të gjitha elementet qenësore të veprës penale për të cilën ngarkohen.

“Në rastin konkret, të akuzuarit nuk e zgjodhën rrugën e drejtë dhe ligjore për t’i zgjidhur kontestet e tyre të mëparshme, por në mënyrë arbitrare e morën ligjin në duart e veta dhe të njëjtin e ekzekutuan në mënyrë primitive, ashtu që ditën kritike pas një pritjeje para marketit ETC në Vushtrri dhe pasi përcjellën të dëmtuarin, befasisht e sulmuan të njëjtin në mënyrën siç e kemi parë në video incizime, duke i shkaktuar lëndimet e përshkruara si në dispozitiv të aktakuzës”, deklaroi avokati Rexha.

I njëjti i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykoj sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ferat Mustafa, avokati Mahmut Halimi në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se nga administrimi i video-incizimit në shqyrtimin gjyqësor si dhe nga certifikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, vihet në përfundimin se asnjë nga veprimet e para në kamera dhe nga dëmtimet ndaj të dëmtuarit të përshkruara në certifikatë nuk janë shkaktuar nga i mbrojturi i tij.

Avokati Halimi shtoi se duhet të bëhet individualizimi i veprimeve të të akuzuarve dhe se sipas tij i mbrojturi i tij mund të gjykohet për elementet e veprës penale të lëndimit të lehtë trupor.

“Propozoj që të mbrojturit tim t’i shqiptohet një dënim sa më i butë, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese si: qëndrimi korrekt i të akuzuarit në shqyrtimet gjyqësore, i njëjti është i gjendjes së dobët ekonomike, i martuar dhe me fëmijë, asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin, dhe propozoj që t’i heqet masa e paraburgimit”, deklaroi avokati Halimi.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Betim Mustafa, avokati Shyqyri Syla në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ekzistojnë elementet e veprës penale për të cilën akuzohet.

Ai tha se i mbrojturi i tij në këtë procedurë ka përsëritur disa herë që asnjëherë nuk ka dashur ta privojë nga jeta të dëmtuarin.

“I mbrojturi im nuk ka kryer veprime inkriminuese që do të përmbushnin elementet e veprën penale për të cilën akuzohet, për këtë arsye i propozoj gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtorë për veprën penale pjesëmarrje në rrahje”, deklaroi avokati Syla.

Në fund, mbrojtësja e të akuzuarit Lirim Mustafa, avokatja Emine Kaqiku në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se qëllimi i të mbrojturit të saj nuk ka qenë privimi nga jeta i të dëmtuarit, por vetëm rrahja, dhe nga këto rrethana i propozoi gjykatës që në shqiptimin e dënimit ndaj të mbrojturit të saj të marrë parasysh rrethanat lehtësuese se i njëjti është person i moshës së re dhe ka shprehur pendim për ndodhinë.

Ajo shtoi se edhe me një dënim më të butë do të arrihet qëllimi i dënimit tek i mbrojturi i saj.

Me përfundimin e paraqitjes së fjalëve përfundimtare nga palët, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj, e konstatoi të mbyllur këtë çështje penale, ndërsa aktgjykimi do të shpallët të hënën me 6 qershor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ferat, Betim dhe Lirim Mustafën, sepse me datë 25 gusht 2021 rreth orës 13:00 në Vushtrri në parkingun e marketit “ETC”, me marrëveshje paraprake me dashje kanë filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit Remzi Hasani, e të cilën nuk e kanë përfunduar.

Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që pas një zënke që i dëmtuari Remzi kishte pas rreth orës 10:00 të së njëjtës ditë në fshatin Reznik me fëmijët e familjes së të pandehurve, ku i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturën e tij Renault, i njëjti kishte pretenduar se ishte bllokuar rruga nga lopët e këtyre fëmijëve.

Tutje, rreth orës 13:00 tre të pandehurit me pretekstin se ishin ofenduar nga i dëmtuari, të njëjtin e përcjellin duke shkuar me veturën e tyre Passat deri tek marketi “ETC”, ku aty pasi që i dëmtuari del nga marketi, mu përpara hyrjes, i pandehuri Ferat në mënyrë të befasishme e godet nga prapa me grusht disa herë në kokë të dëmtuarin, ku pastaj bashkëngjitën edhe dy të pandehurit tjerë Betim dhe Lirim Mustafa.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, që të tre e godasin nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin, duke e rrëzuar për toke. I pandehuri Lirim me shufër metalike e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë, pastaj i pandehuri Ferat ja merr nga dora shufrën metalike të pandehurit Lirim dhe vazhdon ta godas nëpër trup dhe e shqelmojnë për së shtriri, e godasin në kokë dhe pjesë tjera të trupit.

Duke qenë se i njëjti nuk po lëvizte, të pandehurit të bindur se e kanë privuar nga jeta largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë transferohet në QKUK në Prishtinë ku rezulton se i njëjti ka pësuar: frakturë multifragmentare të parakrahut të majtë S52, thyerje të nervit median dhe redial të dorës, gjakderdhje dhe prania e ajrit në mes kraharorit dhe indit mushkëror në pjesën e pleurës të anës së djathtë S27.2PPT, frakturë serike të brinjëve IV, V, VI djathtas, frakturë të shpatullave në të dy anët, frakturë e zgjatimit transverzal të vërtebrave, majtas L1, L2, dhe L3, hematome nënlëkurore të shumta në trup.

Me këtë kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par 1 nën par. 1.4 lidhur me nenin 28 e 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë