Paraqesin mbrojtjen 10-të prej 35 punëtorëve të KEDS-it të akuzuar për arkëtim të paligjshëm

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Dhjetë të akuzuarit për veprën penale “arkëtime dhe pagesa të kundërligjshme”,  Naim Imeri, Liridon Bakolli,Florim Ibrahimi, Imri Berisha, Dardan Rexhaj, Driton Kastrati, Miftar Hoxha, Nazim Cakolli dhe Vllaznim Zariqi  paraqiten mbrojtjen e tyre para trupit gjykues të kryesuar nga Ibrahim Idrizi.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj të pandehurit në pyetjet e prokurorit të çështjes Rasim Maloku si dhe  në  pyetjet e kryetarit të trupit gjykues Ibrahim Idrizi, deklaruan se në vitin 2013 kanë punuar  në KEDS, dhe detyrat e tyre kanë qenë leximi i njehsorëve elektrik, shkyçja e konsumatorëve të papërgjegjshëm dhe ri kyçja e tyre si dhe shpërndarja e faturave. Sa u përket të dëmtuarve Shaban e Shukri Imishti, Latif Zeka, Imer Kosumi, Rifat Sejdiu,                                                                                  të cilët ishin ankuar se faturat e tyre të rrymës janë “të fryera”, të pandehurit deklaruan se ishin njoftuar që të njëjtit kanë bërë ankesë për faturat e rrymës për periudhën kohore shkurt –mars 2013, dhe se së bashku me komisionin e KEDS-it kishin dal në shtëpitë e tyre për të konstatuar gjendjen. Me këtë rast ata deklaruan se ishte konstatuar se janë bërë gabime gjatë leximit të njehsorëve, ndërsa këtë fakt të pandehurit e mbuluan me atë se në periudhën për të cilën bëhet fjalë, ata sapo kishin filluar punën dhe ishin fillestar ndërkaq thanë se u ishte caktuar që për një ditë të mbulojnë rreth 200 konsumatorë, në territoret e caktuara kryesisht të rajonit të Ferizajit. Gabimet siç deklaruan të pandehurit mund të jenë bërë edhe kur zyrtarët e KEDS-it nga proceverbali i tyre kanë shënuar të dhënat për faturim.

Në disa raste, të pandehurit deklaruan se kanë pasur vështirësi në leximin e njehsorëve sepse ato ishin të vendosura në vende të errëta në shtëpitë e konsumatorëve, e në një rast i pandehuri Naim Imeri deklaroi se njehsorin elektrik i dëmtuari e ka pasur brenda në sallonin e shtëpisë, dhe në pamundësi për të hyrë brenda, i dëmtuari vet i kishte shënuar gjendjen e njehsorit dhe të njëjtën e kishte evidentuar në procesverbal. Andaj gabimet sipas tyre kanë mund të bëhen por jo me qëllim të dëmtimit të konsumatorëve apo për përfitim për vete ose për tjetrin.

‘’Në shtëpinë e Rifat Sejdiut në Neredime të Poshtme, kam shkuar për të lexuar njehsorin në shkurt 2013, mirëpo më kujtohet që shtëpia ka qenë e mbyllur dhe nuk ka qenë askush aty, pastaj unë kam shënuar në procesverbal  ‘mbyll me harxhim’ . Faturimi i është bërë në mënyrë paushalle –  nga sistemi’’,  deklaroi i pandehuri Florim Ibrahimi.

Ndërsa, që të gjithë të akuzuarit mohuan se kanë arkëtuar të holla nga konsumatorët, sepse sipas tyre në atë kohë nuk janë kryer pagesa në atë mënyrë, dhe deklaruan se detyra e tyre e vetme ka qenë leximi i njehsorëve dhe shkyçja e njehsorëve për konsumatorët që nuk i kanë kryer obligimet ndaj KEDS.

Seanca e radhës u caktua për 28 tetor 2016 në ora 09:00 ku do të paraqesin mbrojtjen e tzre të akuzuarit e tjerë.

Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të pandehurit në këtë çështje penale Mervan Gashi, Shefqet Ramadani, Bekir Halili, Sylejman Ismajli, Naim Imeri, Nazim Cakolli, Musli Arifi, Liridon Bakolli, Florim Ibrahimi, Imer Berisha,Dardan Rexhaj, Emin Gashi, Driton Kastrati, Miftar Hoxha, Ali Tahiri, Shefqet Sylejmani, Hajredin Mehmeti, Shabi Murseli, Aleksander Zdravkoviç, Goran Milosavljeviç, Sasha Jankoviç, Sabit Azizi, Agron Reçica, Besnik Reçica, Burim Jashari, Gafurr Behluli, Faton Hetemi, Kadri Vogliqi, Vllaznim Zariqi, Bujar Musa, Safet Salihu, Hysni Alija, Sabit Kuka, Qëndrim Guri dhe Mejdi Leka akuzohen për veprën penale “arkëtim dhe pagesa të kundërligjshme”, sepse në periudhën kohore janar – shkurt 2103 në shtëpitë e konsumatorëve – qytetarëve, në cilësinë e personave zyrtar – specialist të daljes në KEK, kanë tentuar të arkëtojnë shuma më të mëdha të parave për pagesën e energjisë elektrike të cilat konsumatorët nuk i kishin harxhuar në atë mënyrë që me rastin e leximit të njehsorëve elektrikë në pasqyrën e rrjedhës së energjisë aktive në tarifën e lartë dhe të ulët kanë evidentuar KË më shumë se sa konsumatorët kishin shpenzuar.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë