Paraburgim ndaj zyrtarit policor që dyshohet për abuzim seksual me të miturën

Pallati i Drejtesise  (2) (1)
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Shkurt 7, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj zyrtarit policor V.V, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur në Drenas.

Masën e paraburgimit, kjo gjykatë e ka caktuar pasi gjatë ditës së enjte ishte mbajtur me dyer të mbyllura seanca dëgjimore, në të cilën Prokuroria kishte paraqitur kërkesën për caktimin e kësaj mase të sigurisë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.V.  për shkak të veprave penale Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 nën paragrafi 1.3. të KPRK-së dhe veprën penale Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë nga neni 184 par.2 lidhur me paragrafin 1 dhe 33 të Kodit Penal Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media të dërguar nga Gjykata Themelore.

Sipas këtij njoftimi, i dyshuari do të qëndrojë në masën e paraburgimi deri më 5 mars të këtij viti, derisa të merret vendim për ndonjë masë tjetër.

“Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda kundër të pandehurit V.V. është përmbushur kriteri i veçantë për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 187 par.1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes, pasi që tani i pandehuri akuzohet për dy vepra penale për të cilën ligjvënësi ka paraparë dënime të ashpra bazuar në rrezikshmërinë shoqërore të këtyre vepre penale, andaj ekziston rreziku që i pandehuri të fshihet apo të ik përkohësisht nga Republika e Kosovës me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale apo edhe për të penguar rrjedhën e pa ndërprerë të procedurës penale ndaj tij”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

I dyshuari V.V. ishte arrestuar ditën e djeshme nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në ndërkohë gjatë së enjtes, Policia e Kosovës, ka arrestuar edhe një mësimdhënës nga Drenasi nën dyshimine njëjtë për dhunim dhe keqpërdorim seksual të së miturës.