Para tri javësh ishin mbyllur hetimet për rastin e ndërtimeve pa leje ndaj drejtorit dhe zyrtares në Pejë,  Prokuroria mohon se është rasti i njëjtë

prokueoeiaaa
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 17, 2021

Pejë- 26 qershori i vitit 2021 ishte dita kur Prokurorja  e Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj dhe kryeprokurori i shtetit, Agim Kurmehaj kishin mbyllur hetimet ndaj Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Pejë, Rajan Arapi dhe zyrtares komunale Florije Berisha, nën dyshimin se keqpërdorën detyrën zyrtare për lëshimin e lejeve ndërtimore ndaj tri kompanive ndërtuese që ishin lejuar të ndërtojnë kate shtesë.

Mirëpo, tri javë më pas, në aksionin të udhëhequr nga prokurorja tjetër e kësaj Prokurorie, Lumturije Vuqetaj dhe kryeprokurori Agim Kurmehaj, Drejtori i Urbanizmit dhe disa zyrtar komunal u vënë nën pranga në aksionin e zhvilluar në Komunën e Pejës gjatë paradites së 15 korrikut, pikërisht për lëshimin e lejeve ndërtimore.

Se hetimet ishin mbyllur për lëndët për të cilat tani është bërë arrestimi, e ka thënë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili në konferencën për media e kishte konfirmuar se I bëhej fjlaë për tri lëndë të njëjta për të cilat Prokuroria e Pejës kishte mbyllur hetimet dhe këto veprime ishin spektakel politik në prag të zgjedhjeve lokale.

Sipas shkresave të lëndës që i posedon “Betimi për Drejtësi”, rezulton se me 26 qershor 2021, Prokuroria e Pejës përmes një raporti zyrtar, kishte bërë mbylljen e rastit ndaj të dyshuarit Rajan Arapi, Arbresha Kryeziu-Goga, Florije Berisha, Violeta Ukaj dhe Mirjeta Rizvanolli, me arsyetimin se me asnjë provë materiale nuk ishte provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Hetimet në këtë rast kishin filluar qysh në maj të vitit të kaluar, kur Drejtoria Rajonale e Pejës, kishte pranuar një informacion se Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ishte duke përkrahur kërkesat e oligarkëve të Pejës në rritjen e etazhiteteve për ndërtime të larta.

Informacionet e para  ishin se të dyshuarit e lartëcekur kishin lëshuar leje shtesë për ndërtimin e objekteve shumë banesore për subjektet ekonomike “El-Production”Sh.p.k, “Dukagjini” Sh.p.k dhe N.P.T”Art-Com”, biznese këto nga qyteti i Pejës.

Bazuar në këtë informacion, Prokurorja e shtetit, Valbona Disha-Haxhosaj kishte ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të konstatimit të elementeve të veprave penale ndaj të dyshuarve për dhënien e lejeve shtesë subjekteve afariste, duke kërkuar nga Ministria e Ekonomise dhe Ambientit(MEA) të bëjnë inspektimin nëse këto leje ndërtimore për tri objektet kontestuese janë lëshuar në kundërshtim me ligjin.

Mirëpo, në arsyetimin e Prokurorisë së Pejës tregohet se MEA-ja nuk kishte vepruar sipas autorizimit të Prokurorisë së Pejës, duke arsyetuar  se nuk kishin kompetencë për të bërë inspektimin e lejeve të ndërtimit në Komuna.

Por ne kemi kërkuar që Inspektorati i MEA-së, konkretisht kryeinspektori i kësaj Ministrie të na jap përgjigje me shkrim mbi shkeljet që mund të jenë kryer nga zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizimit në Komunën e Pejës gjatë lëshimit të këtyre tri lejeve të ndërtimit. Siç shihet nga korrespodenca që kemi me zyrtar të kësaj ministrie, inspektoret e saj nuk konsiderojnë se çështja e kontrollit dhe inspektimit në lëshimin e lejeve të ndërtimit bie në domenin e kontrollit të tyre, përkundër asaj se kompetencat e inspetoratit të MEA-së janë të përcaktuara në gjithë rregullativën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e mbylljes së rastit.

Duke qenë se Prokuroria e Pejës nuk kishte marrë raport lidhur ligjshmërine e lëshimit të lëjeve për këto ndërtime nga inspektorët e MEA-së, më pas kanë mbyllur hetimet përkitazi me këto lëndë dhe ndaj të dyshuarve.

E pa kaluar tri javë  nga mbyllja e rastit, ishte bërë arrestimi i Drejtorit të Urbanizmit dhe disa zyrtarëve komunal, veprime këto të cilat Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri e kishte cilësuar si spektakël politik.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj për të marrë një qëndrim të tij, nëse qëndronte pretendimi se të dyshuarit në Komunën e Pejës janë arrestuar edhe pse ndaj tyre ishte mbyllur rasti.

Mirëpo, z. Kurhmehaj mohoi se rrethanat e rastit të mëhershëm ishin të njëjta me rastin për të cilat ishin bërë arrestimet.

“Rrethanat e njëjta nuk janë. Skanë të bëjnë me persona të njëjtë. Mirëpo për më hollësisht mundeni me u drejtu me shkrim me pyetje dhe do të merrni përgjigje zyrtare”, tha Kurmehaj.

I njëjti mohoi të përgjigjet edhe për rrethanat se përse bartëse e lëndës për këto arrestime nuk ishte prokurorja Disha-Haxhosaj,  e cila fillimisht ishte marrë me këto hetimet për ndërtimet paleje, por lënda për hetim i ishte bartuar prokurores tjetër, Lumturije Vuqetaj.

Në anën tjetër, “Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe me prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj për të pyetur se përse nuk ishte bartëse e lëndës edhe pse në rastet e ndërimeve paleje kishte mbyllur hetimet, mirëpo e njëjta nuk ka pranuar të flas. E paqasshme për kontaktim ishte edhe prokurorja aksionit në Komunën e Pejës, Lumturije Vuqetaj.

Pas të gjitha këtyre pretendimeve,”Betimi për Drejtësi”, bazuar në shkresat që i posedon ka ardhur në përfundim se rasti për të cilin janë mbyllur hetimet ishin pikërisht për tri kompanitë ndërtimore, për të cilat më pas u vunë nën pranga Drejtori i Urbanizimit në Komunën e Pejës me disa zyrtarë komunal.

Kjo dëshmohet në bazë të raportit për mbylljen e rastit ku rezultojnë se ishin për të njëjtat kompani “El-Production”Sh.p.k, “Dukagjini” Sh.p.k dhe N.P.T”Art-Com”, të cilat janë edhe pjesë përbërese të aktvendimit për fillimin e hetimeve.

Ndryshe, në anën tjetër, mbrojtësi i të dyshuarit, zyrtarit Bajram Muzlija,  ka hedhur kritika ndaj prokurores së rastit, Lumturije Vuqetaj, sipas të cilës e njëjta në argumentimin e hetimeve kishte përdorur një ligj i cili ishte shfuqizuar.

Sipas avokatit Besnik Berisha arrestimi i të mbrojturit të tij në mënyrë spektakulare, me veprime të cilat nuk përbëjnë vepër penale, cënon sigurinë juridike të vendit.

“Kjo shkarravine, e titulluar si Aktvendim për fillim e hetimeve kundër z. Bajram Muzlijaj, nuk është punim i ndonjë studenti, por gatim i një prokurori të shtetit, që paguhet me taksat tona për t’i mbrojte të drejtat tona. Një pacavure si kjo, me pasoja të pariparushme për z. Muzlijaj, shpërfaq me se miri nivelin profesional të Prokurorise qe beri spektakel në Peje, duke prangosur z. Muzlijaj per veprime qe nuk perbejne veper penale”, thuhet ne postimin e avokatit Besnik Berisha.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar edhe dispozitivin e hetimit ndaj të dyshuarit Bajram Muzlija. Në këtë dispozitiv thuhet se i dyshuari kishte kryer veprën penale nga data 15 tetor 2020 deri më 3 shtator 2021. Pra Prokuroria e Pejës e ngarkon të dyshuarin Muzlija për një veprim që ende nuk ka ndodhur sepse tani gjendemi në muajin korrik të vitit 2021 dhe jo në muajin shtator.

Poashtu vërehet se Ligji për Shërbyesit Civil të cilën Prokuroria e Pejës dyshon se i pandehuri Muzlija e ka shkelur në vitin 2020, nuk ishte në fuqi, pasi ky ligj ishte shfuqizuar me Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili është shpallur në gazetën zyrtare me 11 mars 2019, dhe ka hyrë në fuqi pas 6 muajsh apo në korrik të vitit 2019.