Palët paraqesin fjalët përfundimtare në rastin ndaj ish-Drejtorit të “Eurometalit”, i akuzuar për përvetësim gjatë detyrës

Raporton : Verona KADRIU

Ferizaj – Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, në rastin e korrupsionit ndaj ish-drejtorit të ndërmarrjes “Eurometal”, Nebih Jashari, palët kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurori Rasim Maloku deklaroi se pas mbajtjes së shumë seancave gjyqësore në këtë rast, pas administrimit të provave dhe fakteve, përfshirë edhe disa ekspertiza financiare ka arritur të vërtetohet  gjendje faktike se i Jashari si ish-drejtor në ndërmarrjen “Eurometal” ka kryer veprën penale “përvetësimi gjatë detyrës”, me të cilën vepër prokurori edhe ka bërë ricilësimin e aktakuzës pasi që në seancën e kaluar është  tërhequr nga ndjekja penale nga tri pika të aktakuzës me të cilat i pandehuri akuzohej për veprat penale të shpërdorimit të detyrës apo autorizimit zyrtar. Sa i përket veprës penale me të cilën ngarkohet tani i pandehuri “përvetësimi gjatë detyrës”, prokurori deklaroi se është vërtetuar kontrata e lidhur me firmën “Braë Root” ishte nënshkruar nga ish-Drejtori, tani i akuzuari Jashari në vlerë prej 135,000 markave gjermane dhe sipas faturës ka pranuar shumën prej 38,500 markave gjermane, ndërsa ka përvetësuar diferencën e parave në shumën prej 96,500 markave gjermane ose 48,250 euro. Në fund prokurori kërkoi nga trupi gjykues që të pandehurin t’a shpall fajtor dhe t’i shqiptoj sanksion penal të paraparë me ligj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nebih Jashari, avokati Avni Ibrahimi, në fjalën përfundimtare deklaroi se nga provat e shqyrtuara  në seancat gjyqësore nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale të përshkruar në dispozitiv të aktakuzës dhe se në mungesë të provave prokurori është tërhequr nga tri pikat e aktakuzës për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ibrahimi deklaroi se edhe  ekspertët e caktuar në këtë shqyrtim gjyqësor nuk kanë arritur të vërtetojnë vlerën e dëmit të shkaktuar dhe po ashtu kishin deklaruar se në këtë rast nuk mund të kryhet ekspertizë profesionale dhe e saktë pasi që në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, përkatësisht në vitet 1999 -2002 mjetet financiare nuk janë qarkulluar përmes llogarive bankare andaj edhe nuk është arritur të vërtetohet vlera e dëmit të shkaktuar siç pretendohet nga Prokuroria. Andaj, kërkoi nga  trupi gjykues, që në mungesë të provave t’a liroj nga akuza të pandehurin.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, prezantoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar AKP, i cili në fjalën përfundimtare deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit Jashari si dhe parashtroi kërkesën pasurore-juridike për kompensimin e dëmit, dhe atë në vlerën prej 49,339,67 euro.

Shpallja dhe komunikimi i aktgjykimit do të bëhet më 23 shtator 2016, në ora 11:30.

Sipas aktakuzës së ish Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, i pandehuri Nebih Jashari akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i NSH “Eurometal”, me seli në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ndërmarrjes “Eurometal” i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material. Veprën penale i pandehuri e ka kryer në atë mënyrë që si drejtor i kësaj ndërmarrje ka paraqitur në kontabilitet fatura të rrejshme për furnizim me repromaterial – llamarinë dhe ka përvetësuar shuma të mëdha.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë