Palët nuk pajisen me shkresa të lëndës, ndërprehet gjykimi ndaj të akuzuarve për kontrabandim të migrantëve nga Qendra e Azilit

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë – Mospajisja me shkresa të lëndës, ka bërë që të ndërprehet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për kontrabandim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, Festim Maqaj, Albin Maqaj, Qazim Maqaj, Egzon Murtezi, Agron Bajraktari, Mehmet Dulla, Gëzim Maqaj, Mujë Maçi, Kushtrim Bytyqi dhe Durim Mëziu.

Ata akuzohen se në cilësinë e punëtorëve të sigurimit në kompaninë “Rojet e nderit”, kishin kontrabanduar migrantët nga Qendra e Azilit në Magure, ku kishin pasur për detyrë sigurimin e këtij  objektit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Festim Maqa, avokatit Rrahmon Kastrati, seanca u ndërpre pasi ai tha se i mbrojturi i tij nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me pranimin apo jo të fajësisë, pasi që aktakuzën e kanë pranuar sot, ndërsa nuk ka qasje në provat tjera të lëndës.

Lidhur me këtë kërkesë, prokurorja Dulina Hamiti tha se nuk e kundërshton propozimin.

Gjykata aprovoi propozimin e mbrojtjes që seanca të ndërpritet dhe e njëjta u caktua më 12 janar 2022.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance gjykata pajisi të akuzuarit me aktin akuzues, ndërsa sa i përket provave, të akuzuarit deklaruan se nuk janë pajisur me shkresa të tjera të lëndës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Festim Maqaj, avokati Rrahmon Kastrati tha se ka pranuar provat me CD, mirëpo e njëjta nuk hapet.

Lidhur me këtë gjykatësi Avni  Syla, obligoi prokuroren të përmbush të gjitha obligimet për sa i përket shkresave të lëndës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 qershor 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Festim Maqaj, Albin Maqaj, Qazim Maqaj, Egzon Murtezi, Agron Bajraktari, Mehmet Dulla, Gëzim Maqaj, Mujë Maçi, Kushtrim Bytyqi dhe Durim Mëziu.

Ata akuzohen se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë pasurore financiare apo të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme pas marrëveshjes paraprake në bashkëkryerje gjatë periudhës prill – gusht 2019 në vazhdimësi kanë bërë kontrabandimin e një numri të madh të migrantëve, personave azilkërkues të strehuar në Qendrën e Azilit në Fshatin Magure, Komuna e Lipjanit.

Sipas aktakuzës, të njëjtit iu kishin marrë shuma të konsiderueshme të të hollave për t’i dërguar deri në kufirin me Serbinë, e pastaj për të depërtuar në vendet në BE.

Ata akuzohen  se në cilësinë e personave zyrtarë, punëtorëve në Kompaninë Private “Rojet e nderit” në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, ashtu që gjatë periudhës prill – gusht 2019 në vazhdimësi kanë bërë kontrabandimin e një numri të madh të migrantëve, personave azilkërkues të strehuar në Qendrën e Azilit në Fshatin Magure, Komuna e Lipjanit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë