PALËT NUK I KANË PRANUAR SHKRESAT E LËNDËS, SHTYHET SEANCA FILLESTARE
Raporton: Adem KRASNIQI
Gjakovë – Seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë të mbahet të premtën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të akuzuarëve Afrim Radoniqi dhe Xhevat Rraci, nuk u mbajt. Kjo sepse të njëjtit deklaruan se nuk i kanë pranuar aktakuzat nga prokuroria. Mbrojtja e të akuzuarit Xhevat Rraci, avokati Hilmi Hoxha deklaroi se klienti i tij nuk e ka pranuar aktakuzën nga prokurori i shtetit Agron Matjani, dhe në këtë mënyrë mbrojtësit kërkuan që seanca të shtyhet.
”Klienti im nuk e din as për çka akuzohet dhe unë kërkoj nga gjykata që të shtyhet kjo seancë për një datë tjetër, që të pajisemi me shkresat e lëndës dhe të përgatitemi për shqyrtimin fillestar”, tha avokati Hilmi Hoxha.
Megjithatë kjo nuk ishte arsyeja e vetme për shtyerjen e kësaj seance. I akuzuari tjetër Afrim Radoniqi, kërkoi nga gjykata që të shtyhet seanca sepse avokati i tij Ndrec Doda nuk ishte prezent, dhe gjithashtu deklaroi as ai nuk e kishte marrë aktakuzën.
Bazuar në aktakuzën e prokurorisë, më 17 shtator 2012, Afrim Radoniqi në cilësinë e avokatit publik të Gjakovës dhe Xhevat Rraci në cilësinë e drejtorit në pran Drejtorisë për Gjeodezi Kadastër e Pronë të komunës së Gjakovës, kanë i shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës. Këtë e kanë bërë në atë mënyrë që kanë arritur marrëveshje për kompensim me pronarin e mëparshëm të një prone Pren Ibishaj nga fshati Brekoc nga Komuna e Gjakovës, të cilit i njihet e drejta në shfrytzimin e përhershëm të ngastrës kdastrale nr.4452, me sipërfaqe prej 345 metra katrorë, pa obligim të kompensimit në emër të shfrytzimit dhe rregullimit të tokës ndërtimore. Sipas aktakuzës, shfrytëzuesi, pra Komuna e Gjakovës, obligohet t’i njeh këtë të drejtë pronarit të mëparshëm, kështu që Komuna e Gjakovës detyrohet të bëj ndryshimet adekuate në librat kadastralë në emër të Prenk Ibishaj si shfrytzues i përhershëm i palujtshmërisë duke i shkaktuar dëme materiale Komunës së Gjakovës. Me këtë aktakuza i ngarkon të pandehurit me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.