PALËT KUNDËRSHTOJNË PROVAT NË GJYKIMIN NDAJ ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË SUHAREKËS

Raporton: Diana BERISHA

Prizren – Në shqyrtimin ndaj zyrtarëve të Komunës së Suharekës, Muharrem Elshani, Kurtesh Fondaj, Hafir Maliqaj, Berat Kabashi dhe Raif Fetiu, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, palët prezantuan para gjykatës propozimet e tyre për kundërshtim të provave.

Mbrojtësit e të akuzuarëve të lartë përmendur deklaruan se mbeten në tërësi pran parashkresave të dorëzuara në gjykatë, ku është bërë kundërshtimi i provave si dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës. Ata të gjithë konsideruan se nuk ka prova të mjaftueshme për të cilat të mbrojturit e tyre kanë kryer veprat penale.

Ndërkaq prokurori i rastit Sefer Morina tha se i kundërshton kërkesat për hudhjen e aktakuzës si dhe kundërshtimet ndaj provave. Sipas tij, provat të cilat ekzistojnë në aktakuzë janë prova të nxjerra në mënyrë të ligjshme si gjatë fazës para penale nga ana e policisë ashtu edhe gjatë hetimeve në procedurën paraprake në prokurori. Morina i propozoi gjykatës që kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga ana e mbrojtjes dhe të akuzuarëve t’i refuzoj si të pa bazuara.

Lidhur me kundërshtimin e provave të prezantuara nga palët, gjykata do të vendos në procedurë të veçantë.

Më 25 mars 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë me të cilën, të akuzuarin Muharrem Elshani e akuzon se duke qenë drejtor i klubit futbollistik “Ballkani” në Suharekë, ka përvetësuar një pjesë të stadiumit prej 16 ari. Sipas aktakuzës, këtë e kishte bërë për nevoja të objektit të tij afarist banesor “Gradina”. Kurtesh Fondajn prokuroria e akuzon se duke qenë drejtor i urbanizmit ka aprovuar kushtet e ndërtimit duke e ndryshuar pëlqimin urbanistik të vitit 2009 dhe duke ja mundësuar ndërtimin e parkingut për objektin afarist banesor “Gradina”. Ndërkaq,  Hafir Maliqajn, Berat Kabashin dhe Raif Fetiun prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje nuk kanë vepruar për kthyer pjesën prej 16 ari, që i ishte marrë klubit futbollistik “Ballkani”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë