Palët japin fjalët përfundimtare në rastin e Spitalit “Heart” në Gjakovë

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Palët kanë dhënë fjalët përfundimtare, në rastin kundër Hajrullah Binakaj pronarit të spitalit “Heart”, i akuzuar për veprat penale ‘shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit’, ‘trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’, ‘ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore’ dhe ‘shmangie nga tatimi’, si dhe kundër të akuzuarit Zeqë Kuqi i akuzuar për veprat penale ‘trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’ dhe ‘shmangie nga tatimi’.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika i njoftoi palët se mbrojtësi i të akuzuarit Hajrullah Binakaj, avokati Teki Bokshi ka dorëzuar parashtresë për dëgjimin e dëshmitarëve, si dhe angazhimin e ekspertit financiar Riza Blakaj.

Në lidhje me këtë propozim, mbrojtësi i të akuzuarit Zeqë Kuqi, avokati Ndrecë Dodaj kërkoi nga trupi gjykues ta refuzoi këtë propozim, për faktin se i njëjti është kërkuar disa herë dhe ishte refuzuar. Tutje, avokati Dodaj tha “qëllimi i këtyre propozimeve është prolongimi i çështjes dhe shtyrja e procedurës në pafundësi”.

Në lidhje me këto propozime, trupi gjykues mori aktvendim për refuzim të tyre, ndërsa seanca vazhdoi me fjalët përfundimtare të palëve.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit Agron Matjani tha se pas seancave të mbajtura për këtë rast gjyqësor, si dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar se të akzuaurit me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale si në aktakuzë. Njëherë, prokurori Matjani kërkoi nga trupi gjykues që gjatë vendosjes të akuzuarit t’i shpallë fajtor dhe t’i dënoi në bazë të ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hajrullah Binakaj, avokati Teki Bokshi deklaroi se aktakuza është e mbështetur tërësisht në deklarime të rënda, por fare të pamenduara. “Është paradoksale që i mbrojturi im Hajrullah Binakaj të akuzohet për vdekjen e 15 personave, ndërsa të mos ofrohet asnjë provë për një gjë të tillë”, tha avokati Bokshi. Tutje, ai kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarin Binakaj ta liroi nga akuzat dhe të njëjtin ta shpallë të pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarit Zeqë Kuqi, avokati Ndrecë Dodaj deklaroi se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij është fajtor për akuzat e ngritura kundër tij. “Me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi im ka ndërmarrë veprime apo ka përdorur metoda të papërshtatshme, të cilat kanë quar në vdekjen e personave në Spitalin ‘Heart’”, tha avokati Dodaj.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast, do të bëhet me 5 shtator 2016, në ora 8.30.

Ndryshe, ky gjykimi zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, në bazë të cilës i akuzuari Hajrullah Binakaj akuzohet se gjatë periudhës kohore 2007 – 2012, në cilësi të menaxherit dhe pronarit të Spitalit ‘Heart’, pa e kryer Fakultetin e Mjekësisë ka dhënë ndihmë mjekësore me metoda të papërshtatshme të mjekimit. Gjithashtu, më 29 korrik 2008, në cilësi të mjekut kardiolog dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka marr 18.000,00 euro për mjekimin të pacientëve. Akuza e ngarkon të akuzuarin edhe për faktin se në periudhën 2005 – 2012, me qëllim të shmangies nga tatimi i përcaktuar me ligj, nuk ka deklaruar të ardhurat e tij nga spitali ‘Heart’ në Gjakovë.

I akuzuari Zeqë kuqi akuzohet nga prokuroria se në periudhën 25 maj 2012 deri më 12 prill 2012, në cilësi të Drejtorit të Spitalit ‘Heart’ u ka dhënë ndihmë mjekësore pacientëve, duke përdorur metodë të papërshtatshme të mjekimit. Gjithashtu, aktakuza e ngarkon se nga viti 2009 – 2012 me qëllim të shmangies nga tatimi, nuk ka dhënë informata lidhur me të ardhurat e tij.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë